Ish-kryetari i KB “Bashkimi” Shaqir Totaj, ka reaguar pas lajmit për dorëheqjen e kryetarit të tashëm të klubit, Fadil Sahitit, që pasi mori këtë pozitë ka bërë kritika ndaj paraardhësve, të cilët ia sollën klubit dy tituj të rëndësishëm, ndërsa sipas Totajt për ta udhëhequr më tej Bashkimin duhet pasur vizion e aftësi menaxhuese shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Sahiti ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit te klubi i basketbollit Bashkimi, një ditë pas humbjes së kampionit në Prizren nga Trepça, me rezultat 84-88.
Ndër arsyet e dorëheqjes Sahiti për media ka përmendur mungesës e dëshirës dhe javashllëkun në themelim të shkollës së basketbollit; pastaj mungesën e transparencës në shpenzime të klubit dhe mungesë e dëshirës në publikimin e shpenzimeve; rezultatet e dobëta të ekipit të parë që lidhen kryesisht me joprofesionalizëm nga ana e trajnerit dhe drejtorit sportiv.
Ai po ashtu ka përmendur edhe mungesën e shikueshmërisë gjatë lojërave në Prizren, që sipas tij tregon më së miri ku është katandis klubi, që siç ka thënë i ka humbur edhe tifozët, Arpagjiktë.
Pas shpalljes Kampion në fund të majit, gjatë verës Bashkimi ka bërë ndryshime në kryesi, por gjatë kampionatit ekipi (sendorët) ka pësuar katër humbje në Superligën e Kosovës dhe dy disfata në Ligën Ballkanike.
Pak pas marrjes së detyrës Fadil Sahiti pat drejtuar kritika ndaj ish-menaxhmentit të Bashkimit. Një veprim i tillë, sigurisht ka bërë, që pas dorëheqjes së tij, përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘facebook’, të reagojë edhe Shaqir Totaj, që nga viti 2011 ka qenë në pozitën e drejtuesit të klubit të basketbollit Bashkimi në Prizren.
Totaj ndër tjera ka shkruar:
“Për ta mbajtur KB Bashkimi aty ku e solli menaxhmenti i kaluar, pra ne pozitën e Kampionit te Kosovës dhe Nenkampionit Ballkanik, duhet pasur vizion të qartë dhe aftësi menaxhuese që ai vizion te zbatohet ne praktikë.
Kritikat e paargumentuara ndaj menaxhmentit qe ja sollën KB Bashkimit dy tituj dhe tani kritikat ndaj bashkëpunëtoreve te afërt te cilët vet i ka zgjedhur janë tregues i dobesise së kryetarit i cili tanimë qenka dorëhequr.
Ballafaqimi me sfida i karakterizon lideret karizmatik, tërheqja i karakterizon ata te cilët vetëm pretendojnë por ne fakt nuk kanë lidership.
Fituesit asnjëherë nuk dorëzohen dhe ata qe dorëzohen asnjëherë nuk fitojnë”, ka shkruar Totaj./GazetaePrizrenit.net
/