23-11-2024

Shaqir Totaj shpall kanditaturën për të parin e PDK-së në Prizren

Për muaj të tërë PDK-ja në Prizren ju ka nënshtruar një procesi të rregullt zgjedhor, i cili është cilësuar si shumë transparent.

PDK-ja tashmë në opozitë është në kërkim të Kryetarit të ri të saj, në përpjekje për një riorganizim, strukturim dhe fuqizim të saj.

Pas një procesi maratonik, pothuajse për pesë muaj nëndegët e PDK-së në Prizren kanë arritur që t’i zgjedhin Kryetarët e ri dhe strukturat e reja udhëheqëse, me ç’rast është vërejtur një pjesëmarrje e madhe e anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të këtij subjekti politik. Si rrjedhojë, brenda afatit të paraparë, 47 nëndegët kanë arritur me kohë që të përfundojnë procesin e brendshëm zgjedhor, të cilën e konfirmoi me 6 prill edhe Komisioni Zgjedhor i PDK-së, duke e cilësuar si proces të suksesshëm.

Si rrjedhojë, 13 prilli është dita e fundit kur pritet të dihet gjithçka, se kush do të jetë Kryetari i ri i PDK-së në Prizren, në një kohë kur tashmë janë paralajmëruar tri kandidatura si të mundshme.

04 Online ka mësuar se të shtunën e kaluar është hapur edhe afati për dorëzimin e kandidaturave për të parin e degës së PDK-së në Prizren, dhe përkundër zërave për tri kandidatura si të mundshme, deri më tani ka mbetur vetëm një kandidaturë e konfirmuar. 04 Online e ka kontaktuar Shaqir Totajn, i cili edhe ekskluzivisht e ka konfirmuar kandidaturën e tij, të cilën e ka dorëzuar zyrtarisht pranë organeve dhe komisionit zgjedhor të PDK-së.

Në një bisedë me Totajn, ai ka përmendur edhe pikat kryesore të projektit të tij, duke veçuar: zhvillimin ekonomik dhe ekonominë e tregut, modernizimin e arsimit, politikat shëndetësore, kulturën dhe sportin, emancipimin dhe të drejtat e gruas, rininë, ambientin, përkujdesjen sociale, integrimet, të drejtat e njeriut, tolerancën, mirëkuptimin dhe poashtu ka konfirmuar për 04 Online se do të formoj edhe kabinetin për qeverisje të mirë.

Ndryshe nga kjo, deri më tani flitet se edhe Ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, pritet të shpallë kandidaturën për Kryetar, e poashtu edhe Nijazi Kryeziu, ish sekretar i degës së PDK-së në Prizren./04online.info

Asnjë koment

Comments are closed.