Shaqiri: Ndoshta jo të gjithë zviceranët kanë vullnetin luftarak të një kosovari
Intervista e plotë është publikuar sot:
Si shënohen gola të rëndësishëm nën presion?
Xherdan Shaqiri: “Kjo lidhet shumë me instinktin. Shpesh vendosin milisekondat. I dua golat spektakolarë dhe kam provuar shpesh gjëra të guximshme. Por asnjëherë nuk kam hyrë në një ndeshje me mendimin për të shënuar një gol të veçantë.”
A ju duk i vështirë kthimi në Zvicër?
Xherdan Shaqiri: “Rikthimi te FC Basel ka qenë gjithmonë një ëndërr që e kisha në mendje. Të dilja edhe një herë para prindërve të mi në stadiumin St. Jakob-Park. Dhe, sigurisht, ta çoj përsëri FC Baselin aty ku e ka vendin.”

A krijon roli juaj qendror në Basel edhe presion?
Xherdan Shaqiri: “Patjetër, por më pëlqen presioni pozitiv. Megjithatë, sapo përmendet emri im, gjithmonë shkruhet shumë.”
Mendoni se raportimet janë negative?
Xherdan Shaqiri: “Aspak. Si futbollist duhet të mësosh të përballosh tituj negativë pas ndeshjeve të dobëta. Por kur vendosin vetëm “Shaqiri” në titull për të gjeneruar klikime, aty mbaron mirëkuptimi im.”
Si ju ka formuar rritja në kushte të thjeshta?
Xherdan Shaqiri: “Shumë. Ajo më ka çuar aty ku jam sot. Por jam edhe krenar për prindërit e mi, sepse kurrë nuk kanë futur hundët në rrugën time.”

Qëllimi juaj ka qenë të fitonit aq sa të mos punonin më prindërit. Ju pëlqen të merrni përgjegjësi?
Xherdan Shaqiri: “Ëndrra ime ka qenë që nga kontrata ime e parë si profesionist të nxirrja prindërit nga bota e punës dhe të kujdesesha për ta. Këtë e kam realizuar. Çdo gjë që erdhi pas kësaj ka qenë thjesht një ‘desert’.”
A janë më luftarakë lojtarët me prejardhje të huaj?
Xherdan Shaqiri: “Ndoshta jo të gjithë zviceranët kanë vullnetin luftarak të një kosovari, por ata kanë saktësi në kohë apo aftësi shprehëse. Kombëtarja (zvicerane) ka përfituar prej vitesh, sepse karaktere të ndryshme sjellin cilësi të ndryshme.”

Në çfarë mënyre u ndihmon futbolli të rinjve me prejardhje të huaj për t’u integruar?
Xherdan Shaqiri: “Sporti ndihmon përgjithësisht dhe i largon të rinjtë nga rruga. Ai nuk formon vetëm trupin, por edhe karakterin e njeriut.”
A shqetësoheshin prindërit tuaj se mund të përfshiheshit në rrethe të këqija?
Xherdan Shaqiri: “Nëna ime shqetësohej sepse isha i vogël, por luaja gjithmonë me të rriturit. Por kështu mësova t’i përvishem betejës. Edhe e kuptova herët se isha diçka e veçantë, sepse gjithmonë më zgjidhnin të parin.”
A ju shikon publiku juve dhe Granit Xhakën më shumë nën thjerrëz?
Xherdan Shaqiri: “Sigurisht që herë pas here ndihesh pak i trajtuar padrejtësisht, por duhet të dish të përballosh këtë situatë. Njerëz të ndryshëm kanë mendime të ndryshme. Por kur njerëzit hyjnë te politika, tërhiqem.”
A pati “afera e bërjes së shqiponjës” më 2018 jehonë tepër të madhe?
Xherdan Shaqiri: “Asokohe u shkrua shumë. Ne dhe familjet tona u provokuam jashtëzakonisht shumë nga pala serbe para ndeshjes së Botërorit, sidomos në rrjetet sociale. Kështu lindi tek ne një uri për të fituar – dhe në fund me rëndësi ishte vetëm fitorja sportive.” ( Vazhdon ). /GS
