14-06-2025

Shejh Ibrahim Muçaj -Trashëgimtar i devotshëm i rrugës së Dervish Salihut

Shkruan: Besim MUHADRI

Vepra dhe ndikimi i Dervish Salihut ( 1815-1895 ), nuk u ndërprenë me ndërrimin e jetës së tij. Përkundrazi, ato u jetësuan në vazhdimësi përmes trashëgimtarëve të tij shpirtërorë, të cilët e bartën me përkushtim dhe dinjitet misionin e teqesë së themeluar nga Dervish Salihu që nga mesi i shekullit XIX, në rrethana nga më të ndryshmet historike.

Në historinë shpirtërore të Teqesë së Dervish Salihut në Libizhdë të Hasit, Shejh Ibrahimi zë një vend të veçantë si njëri nga pasardhësit më të përkushtuar të Dervish Salihut dhe ndër më të dalluarit në këtë varg. Shejh Ibrahimi ishte një figurë që mishëronte urtësinë shpirtërore dhe ndërgjegjen kombëtare, duke e bërë lidhjen mes brezave jo vetëm të qëndrueshme, por edhe të ndritshme.

Pasardhësi i urtë dhe i guximshëm

Ai mori udhëheqjen shpirtërore të teqesë pas kalimit të babait të tij, Shejh Shabanit (1903-1946), i cili më parë e kishte trashëguar këtë mision nga Shejh Fejzullahu (1880-1943), duke vazhduar kështu një zinxhir të shenjtë të dijes, urtësisë dhe përkushtimit. Shejh Ibrahimi shërbeu me përkushtim deri në vitin 1989, kur kaloi në botën e amshueshme, pas një jete të mbushur me veprimtari fetare, kombëtare dhe humane.

Gjatë udhëheqjes së tij, ai arriti të zgjerojë ndjeshëm rrethin e besimtarëve dhe të kryejë riorganizime të rëndësishme në jetën e teqesë. Ai u kujdes për zbukurimin fizik dhe shpirtëror të saj, përfshirë tyrben, në të cilën prehen shumë koburë të shenjtë, përkrah figurës qendrore të babait shpirtëror – Dervish Salihut.

Konfrontimin me kryeudbashin Ilia Deniq

Shejh Brahimi shquhej jo vetëm në sferën fetare, por edhe në atë kombëtare. Ai ishte njeri i besës, i fjalës së dhënë, i drejtësisë dhe i veprimit të heshtur, por të vendosur. Në vitet e vështira të aksionit të armëve, 1955/1956, por edhe më vonë, ai pati një përballje të drejtpërdrejtë me kryeudbashin dhe zullumqarin famëkeq serb të UDB-së për Rajonin e Prizrenit, Ilia Deniq, i cili kishte krijuar rrjetin e tij të bashkëpunëtorëve edhe në Has. I shtyrë nga ndjenja e thellë e padrejtësisë dhe mosdurimit ndaj së keqes, në një moment tensioni ai nuk u përmbajt: E goditi kryeudbashin në shenjë revolte dhe dinjiteti njerëzor. Ky veprim mbeti i gjallë në kujtesën e njerëzve si shembull i dinjitetit dhe i mosnënshtrimit.

Për këtë akt guximi e qëndrese, Shejh Brahimi u dënua me burg, që pati pasoja të vazhdueshme edhe në vitet në vijim. Madje, sa herë që kishte ngjarje që pretendohej se rrezikonte rendin shtetëror të ish Jugosllavisë dhe të Serbisë pushtuese, që shtypte të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Shejh Ibrahimin e izolonin, duke menduar se do ta thyenin shpirtin dhe ndjenjën e tij njerëzore dhe kombëtare.

Hallkë e fuqishme e urtësisë së Dervish Salihut

Por ky dënim dhe përndjekje, nuk e zbeh as edhe për një çast përmasën e veprës së tij. Përkundrazi, e bën edhe më të fortë kujtimin për të si një njeri që i qëndroi besnik misionit shpirtëror dhe kombëtar në një kohë shtypjeje dhe rreziku. Ai nuk ishte thjesht trashëgimtar i një emri të madh – ai e bëri këtë trashëgimi të jetojë, me përkushtim, me sakrificë dhe me veprim.

Shejh Brahimi mbetet një figurë e respektuar në kujtesën kolektive të Hasit dhe më gjerë, si një hallkë e fuqishme e urtësisë së Dervish Salihut dhe si një zë i heshtur, por i patundur, i qëndresës shqiptare përballë padrejtësisë dhe dhunës…

( Material i shkëputur nga libri “Dervish Salihu në kujtesën popullore dhe historiko-letrare”, i cili së shpejti do të hyjë në shtyp ). / Gazeta e Prizrenit

 

Asnjë koment

Comments are closed.