Shengyli për rifillimin e Ligës së Parë – kjo është zgjidhja më e mirë për të gjitha klubet
Superliga e Kosovës ka marrë ‘dritën jeshile’ për të rifilluar garat e mbetura si shkak i pandemisë koronavirus.
Kurse, një gjë e tillë nuk është vendosur edhe për garat tjera në futbollin kosovar, shkruan Gazeta Sheshi.
Në lidhje me këtë temë, për Gazetën “Sheshi” ka folur trajneri i mirënjohur kosovar, Skënder Shengyli.
Sipas tij, mënyra më e drejtë është që Liga e Parë të përfundoj përmes fushës së lojës.
“Mënyra më e drejtë dhe më sportive për t’i dhënë epilog edicionit 2019/20 në Ligën e Parë është përmes fushës së lojës. Nëse rifillon Superliga, atëherë nuk e di pse nuk duhet të fillojë edhe Liga e Parë. Liga e Parë është nën ombrellën e FFK-së sikurse Superliga e Kosovës dhe është një kompeticion shumë i rëndësishëm për shumë klube, sidomos për këtë edicion kur dihet se luajnë shumë klube me renome”, ka thënë Shengyli.
Gjithashtu, trajneri prizrenas ka folur edhe për kushtet dhe beson se nuk do të ketë probleme as tani pasi që Komisioni i Garave këto kushte i kishte pranuar në fillim të edicionit.
“Kushtet janë ato që kanë qenë. Nuk mund të them se janë më të mirat, por nëse Komisioni i Garave i ka pranuar në fillim të edicionit, normalisht se nuk do të kishte problem as tani”, shtoi më tej Shengyli.
Për fund, Shengyli edhe njëherë e ripërsërit që mënyra më e mirë dhe më fer do të ishte fusha e gjelbër.
“Nuk e di nëse klubet e Ligës së Parë do të jenë të përgatitura për vazhdimin e kampionatit, por po e them edhe njëherë mënyra më e mirë dhe më fer do të ishte t’i rikthehemi fushës së lojës dhe t’i vendosim gjërat në fushën e blertë”, përfundoi Skender Shengyli.
Shengyli përveç Lirisë, më parë ka drejtuar edhe skuadrat e Vëllaznimit, Ballkanit dhe Prishtinës.
Liria pozicionohet në vendin e tretë , me 31 pikë të grumbulluara./Gazeta Sheshi/