Shënohet 20-vjetori i masakrës në fshatrat Celinë, Fortesë e Brestoc të Rahovecit
Në fshatrat Celinë, Fortesë e Brestoc të Komunës së Rahovecit sot janë mbajtur tubime përkujtimore për të shënuar 20-vjetorin e të vrarëve gjatë vitit 1999 në këto fshatra, të cilët u vranë barbarisht nga paramilitarët serb.
Në këto tubime ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës, Smajl Latifi, me bashkëpunëtorë dhe familjarë të të rënëve.
“Sot e 20 vjet më parë, pushtuesi kriminal serb, duke mos kursyer asnjë person, vrau barbarisht martirë e dëshmorë shqiptarë në Celinë, Fortesë e Brestoc. Në Brestoc u vranë 49 shqiptarë, ku gjashtë prej tyre janë të pagjetur, qytetarë tanë u vranë dhe u masakruan veç pse ishin shqiptarë. Pastaj në Fortesë ishin 69 bashkëqytetarë tanë, të rinj e të moshuar, burra e gra, që mizorisht u privuan nga jeta. Njëjtë, okupatori serb veproi edhe në Celinë, duke vrarë 75 persona, në një masakër që tronditi gjithë botën”, ka thënë ndër të tjera kryetari Latifi.
Në fjalimin e tij kryetari Latifi, ka vazhduar duke thënë se i kujtojnë me nder, respekt e përulje të thellë të gjithë burrat, gratë, pleqtë e fëmijët që u ekzekutuan barbarisht nga makineria vrastare e pushtuesit serb. “Jeta, vepra dhe gjaku i të rënëve janë baza dhe themeli i lirisë së Kosovës. Presim që të vendoset drejtësia e vonuar dhe të marrin dënimin e merituar kriminelët që na lanë pa më të dashurit tanë”, ka thënë Latifi.