Shërbime pa pagesë për parandalim ndaj kancerit të gjirit
Tetori është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.
Me këtë rast, Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me stafin infermierik të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, kanë filluar fushatën e ndërgjegjësimit, duke shpërndarë sot gjatë ditës fletëpalosje informuese në lidhje me kancerin e gjirit.
Drejtori për shëndetësi në Prizren, Visar Shehu ka njoftuar se gjatë këtij muaji, në kabinetin e rentgenit pranë QKMF-së, do të ofrohen shërbime pa pagesë për Ultrazë të gjirit dhe Mamografi, në mënyrë që të ketë kujdes parandalues ndaj kësaj sëmundjeje.
Këto shërbimet do të ofrohen çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në 13:00.
Kanceri i gjirit në fillimin e tij nuk jep simptoma, por me avancimin e sëmundjes simptomat fillojnë të shfaqen. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të ndërgjegjësohemi dhe të kryhen kontrollet me kohë, sepse diagnostikimi i hershëm shpëton Jetë./GazetaePrizrenit.net