Shërbyesit civilë thonë se në Kuvend u bë kontrabandim me koeficientë
Shërbyesit civilë kanë thënë se janë të brengosur dhe shqetësuar për trajtimin e tyre në Ligjin për Paga.
Përmes një reagimi për media, dy sindikatat e shërbyesve civilë kanë thënë se do të kërkojnë nga presidenti që të mos e dekretojë ligjin.
“Dy Kryesitë e Sindikatave të Shërbimit Civil të Kosovës, janë tejet të brengosura dhe shqetësuara jo vetëm me faktin se SHC si kategori e nëpunësve të shtetit të Kosovës u anashkaluan dhe injoruan gjatë kontrabandimit të koeficientave të përcaktuar në Ligjin për Paga, duke u trajtuar në koeficient si të ishin shërbëtorë të shtetit e jo ekspertë profesionistë dhe motor i shtetit të cilët me profesionalizmin e tyre përveç që ofrojnë shërbime cilësore qytetarëve të Kosovës ia përgatisin shtetit të gjitha aktet profesionale shtetërore, por edhe me vetë faktin se Seanca e Kuvendit të Kosovës me rastin e miratimit të Ligjit mbi Paga u shndërrua në një treg biznesi ku kush kishte mundësi blinte dhe shiste koeficient për vota elektorale që për të gjithë shikuesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë që e vrojtuan këtë ngjarje të shëmtuar u shqetësuan se si një seancë e Kuvendit të Kosovës mund të shndërrohet aq haptazi në një treg të shitblerjes së koeficientave për vota elektorale duke mos e respektuar fare as nocionin ligjor të pagës bazë dhe komponentët e pagës bazë të definuar në nenin 2 dhe 5 të Ligjit të miratuar, por as 5 parimet themelore të sistemit të pagave të përcaktuar në nenin 3 të Ligjit të aprovuar duke ia dhënë epitetin ‘Ligj i të fortit’ e jo Ligj që determinon ‘pagë të njëjtë për punë të njëjtë apo të ngjashme’ duke i dhënë epitetin e një Ligji diskriminues dhe shantazhues që vërtet është brengosje e madhe për veprimet skandaloze të një Institucioni legjislativ të Kosovës”, thuhet në reagimin e sindikatave të shërbyesve civilë.
Sipas këtyre sindikatave, kjo “s’ishte hera e parë që deputetët për përfitime të votave elektorale kanë miratuar ligje me përmbajtje diskriminuese”.
“Për ta dëshmuar këtë mjafton të shikoni fatkeqësisht Ligjin diskriminues mbi Skemat Pensionale të Financuara nga shteti Ligji nr. 03/L-131 , i miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014, nga shumica nga kjo kastë e deputetëve, ku fatkeqësisht me këtë Ligj në nenin 8 ua pranojnë stazhin kontributdhënës jo vetëm të punësuarve që mbetën nën masat e dhunshme, por edhe atyre që u punësuan nga viti 1990 me Ligjet e Kuvendit të Serbisë të aplikuara në Kosovë dhe nën masat e dhunshme të caktuara nga Serbia duke përbuzur intelektualët e asaj periudhe kohore në vazhdimësi tash e 20 vjet duke mos ua njohur stazhin e punës si të përndjekur politikë nga puna, por duke vazhduar t’i dënojë mu për ato shkaqe që regjimi i Millosheviqit i dëboi nga puna si armiq të shtetit të Serbisë, mu nga këto kontrabandime politike duke lënë akoma në fuqi një Ligj diskriminues që e ka verifikuar edhe Avokati i Popullit i cili në prill të vitit 2018, ua dërgon Qeverisë dhe Kuvendit, Rekomandimin mbi nevojën urgjente të amandamentimit të kësaj dispozite diskriminuese ligjore e cila mjerisht ka hasur në vesh të shurdhët të institucioneve vendimmarrëse të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Sindikatat e shërbyesve civilë kanë thënë se do të njoftojnë OSBE-në, ambasadorët e QUINT-t, Avokatin e Popullit për elementet që ata i konsiderojnë diskriminuese.
“Do të bisedojmë me Avokatin e Popullit mbi bazën juridike mbi trajtimin e elementeve diskriminuese nga Gjykata Kushtetuese për kthimin e tij përsëri në Kuvend, dhe njëkohësisht do të kërkojmë nga Presidenti i Kosovës që mos ta dekretojë Ligjin pa u bindur se vërtet ky Ligj a është Ligj që përcakton ‘pagë të njëjtë për punë të njëjtë apo të ngjashme’ apo është ‘Ligj i të fortit’, i miratuar para fushatave elektorale që thellon edhe më shumë dallimin e kategorive të të punësuarve buxhetorë që nuk përkon me parimet themelore të përcaktuara në nenin 3 të Ligjit për pagat”, thuhet në fund të letrës./koha.net