Sheshi i Suharekës pritët të përfundojë brenda 300 dite
Në qytezën e Suharekës për herë të par ka filluar ndërtimi i sheshit i cili është paraparë të përfundojë brenda 300 dite. Projekt ky i cili konsiderohet si një nga projektet më të mëdha nga paslufta për të cilin janë paraparë 1.7 milion euro.
Drejtoresha e Urbanizmit dhe Planifikimit në Suharekë, Sanie Kuqi, tha për KosovaPress, se për realizimin e sheshit, komuna e Suharekës i ka ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme ligjore deri në hartimin e projektit zbatues dhe pastaj kanë filluar me realizimin në terren.
Ajo tha se për realizimin e sheshit në qytezën e Suharekës, kanë marrë përkrahje financiare edhe nga Ministria e Infrastrukturës.
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Mjedisit, Enver Shabani, tha se ky është një projekt shumë i madh me vlerë prej 1.7 milion euro. Sipas tij, është projekt sfidues si për komunën e Suharekës, ashtu edhe për kryetarin Bali Muharremaj.
“Punimet sa për fillim janë duke ecur mirë në dinamikën e paraparë të projektit fal edhe kohës së mirë dhe ne besojmë që do të vazhdojnë në këtë dinamik të punës së shtuar dhe nuk do të kemi problem me qasjen e qytetarëve. Projekti i sheshit të Suharekës, Brigada 123, pritët të përfundoj brenda 300 dite, edhe pse projekt i madh, ndoshta është edhe një sfidë për qytetin e Suharekës dhe për vet kryetarin e komunës Bali Muharremaj por besoj që do t’ia del bashkë me firmën e cila po punon me seriozitetin më të madh. Vlera e projektit është 1.7 milion, për të gjitha segmentet që janë të parapamë nga Ura e Madhe deri te Podrumi”, tha ai.
Shabani shtoi se gjatë punimeve nuk janë duke hasur në asnjë problem sepse sipas tij, projekti është përpiluar nga ekspertët më të mirë dhe se qytetarët nuk do të kenë pengesa rrugore sepse ka rrugë alternative.
E Sejdi Hoxha nga fshati Mushtishtë i Suharekës, i lutë të gjithë banorët dhe organet kompetente që pas ndërtimit të sheshit, t’i përmbahen rregullave dhe ta mirëmbajnë sheshin.
“Sheshi të ndërtohet në një qytet është mrekulli, nëse ndërtohet ashtu siç e kanë planifikuar, mirëpo i kisha lutur që kur të ndërtohet ta mirëmbajnë pastërtinë, ta mirëmbajnë rregullin të mos futen me vetura, sheshi e ka një të mirë që mos të hyjë i gjithë ky gazë me ndotë ambientin , me ia pamundësuar frymëmarrjen fëmijëve dhe qytetarëve të cilët vijnë, e pashë edhe një të mirë që kishin me u vendosur shumë karrige do të ishte shumë mirë për pensionistet të cilët mundë të pushojnë aty”, tha Hoxha.
Komuna e Suharekës, ka 300 e 6 klm2, dhe rreth 55 mijë banorë, qytezë e cila si veprimtari kryesore ka Bujqësinë.