Sheshin në Suharekë do ta ndërtojë kompania e familjes së Kuçit, kritikon opozita(Video)
Tenderin për ndërtimin e sheshit në këtë qytet e ka fituar kompania “Hidroterm”, e në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, aksionar i saj figuron kandidati për deputet nga AAK-ja, Blerim Kuçi, parti kjo e cila udhëheq me Suharekën, raporton KTV.
Kontrata e cila edhe është nënshkruar më 19 shtator të këtij viti, kap vlerën e 1.7 milion eurove, të cilat do të jenë investim i komunës me Ministrinë e Infrastrukturës.
Këtë projekt po e kritikon edhe opozita në këtë komunë.
Ndonëse qytetarët e Suharekës thonë se një shesh është i nevojshëm, ata mendojnë se realizimi i tij do të shkaktojë kaos në komunikacion.
E pikërisht për këtë çështje, Muharremaj të hënën, ka mbledhur edhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve, për t’i informuar për këtë projekt.
Faza e parë e projektit për rregullimin e këtij sheshi të Suharekës, sipas zyrtarëve komunalë, pritet të përfundojë në afat prej 300 ditë pune.