24-11-2024

Prizren: Shfuqizohet vendimi, ja çfarë u vendos ndaj kryeinspektorit Topalli dhe Destan Zogajt

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK), ka marrë vendim që kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli dhe ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, të kthehen në vendin e punës.

Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i Topallit dhe Zogajt, avokati Faton Fetahu, përmes një postimi në Facebook, ku edhe publikoi vendimet e KPMShCK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me rastin e Topallit, KPMShCK më 29 maj 2023 ka marrë vendim, me të cilin e ka aprovuar si të bazuar ankesën e parashtruar nga ankuesi Ylber Topalli dhe ka shfuqizuar vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas këtij vendimi, sekretari i përgjithshëm i MD-së obligohet ta zbatojë vendimin 15 ditë pas pranimit të tij, duke e kthyer në punë Topallin.

Po ashtu, të njëjtit duhet t’iu bëhet edhe kompensimi i pagave të ndaluara në emër të vendimeve dhe për të gjitha veprimet e ndërmarra në zbatim të këtij vendimi, duhet të njoftohet KPMShCK-ja.

Kurse, lidhur me rastin e Zogajt, KPMShCK më 22 maj 2023, ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar si të bazuar ankesën e të njëjtit.

“Përpjekjet e dëshpëruara të Ministrisë së Drejtësisë për të shpikur fajtorët rrethanor të fatkeqësisë së para gjashtë viteve të të paraburgosurit A.D, morën përgjigjen e merituar. Përfundimisht u konstatua se Raporti i Komisionit Hetimor të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë (gusht 2022) ishte i porositur politikisht dhe dështoi të mbrohet edhe nga hartuesit dhe porositësit e tij. Ndërkaq, me dy vendimet e lartcekura të Këshillit, është vendosur njëzëri që z. Ylber Topalli dhe z. Destan Zogaj do të kthehen në pozitat e tyre me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës. Këto dy beteja ligjore që zgjatën rreth dhjetë muaj, nuk do t’i konsideroja vetëm fitore të palëve që unë përfaqësova, por edhe fitore të së vërtetës përballë mashtrimit, i cili u përpoq t’i servohej edhe qytetarëve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë përmes konferencave të jashtëzakonshme për media kur u iniciua procedura disiplinore e paligjshme ndaj tyre”, ka shkruar avokati Fetahu në Facebook.

Ndryshe, më 22 shkurt 2023, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) njoftoi se ka larguar nga puna ish-ushtruesin e detyrës së e drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, Burim Buleshkaj, dhe ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit Prizren, Destan Zogaj.

“Ndaj tyre ishte iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016. Gjatë hetimit dhe rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë e tyre, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka konstatuar se lidhur me rastin në fjalë, B.B dhe D.Z janë përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore. Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës duke u bazuar në këto shkelje ka vendosë largimin e të dy nëpunësve civilë nga puna”, thuhej në njoftimin e SHKK-së.

Kurse, më 13 mars 2023, MD-ja njoftoi se ka marrë vendim për shkarkimin e Ylber Topallit, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

“Pas një sërë gjetjesh faktike që dëshmojnë shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet se: Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bartë detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit. Po ashtu, i njëjti ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin: Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.