23-11-2024

Shkatërruesit e trashëgimisë kulturore në Prizren si ndëshkon askush

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur gjithsej 18 aktakuza për 31 persona, për periudhën kohore janar 2013 deri në shtator 2018, për dëmtimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit. ?

Dhe vetëm nga janari i vitit 2017 deri në shtator të vitit 2018, janë ngritur 9 aktakuza për 14 persona për dëmtimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore. ?

Ndërsa në Gjykatën Themelore të Prizrenit gjatë vitit 2013 dhe 2014 nuk është trajtuar asnjë lëndë sa i përket dëmtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Ndërsa në vitin 2015, në punë kanë qenë dy lëndë, kurse në vitin 2016 janë bartur dy lëndë, është regjistruar një lëndë e re, asnjë lëndë nuk është zgjidhur dhe tri lëndë kanë mbetur për vitin e pasues 2017-të, të gjitha këto në lidhje me nenin 363 të Kodit Penal.

Një vit më vonë, më 2017, janë bartur tri lëndë, prej tyre dy janë zgjidhur me gjobë dhe një lëndë ka mbetur  e pa kryer. Ndërsa sipas të dhënave të Gjykatës Themelore të Prizrenit, në vitin 2018, një lëndë është bartur nga viti paraprak, tri të tjera janë regjistruar, një është zgjidhur me kusht dhe kanë mbetur tri të tjera të cilat janë në proces.

Organizata Joqeveritare ‘EC Ma Ndryshe’ që nga themelimi më 2006, ka qenë aktivisht e përfshirë në përforcimin e qytetarisë aktive për të ndikuar në politikat publike në nivel lokal, me fokus të veçantë në politikat kulturore.

‘Ec Ma Ndryshe’ deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren dhe degradimin e Qendrës Historike të qytetit dhe konsideron se organet shtetërore (ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore) duhet të rrisin efikasitetin në zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur.

“Republika e Kosovës ka kornizë legjislative dhe institucionale të favorshme për mbrojtjen e trashëgimisë  kulturore. Realizimi i obligimeve që dalin nga legjislacioni në fuqi është përgjegjësi e një numri të madh institucionesh qendrore dhe lokale, përfshi ministritë e linjës, komunën dhe organet ligj zbatuese”, thuhet në përgjigjen e ‘Ec Ma Ndryshe’ për Kallxo.com.

Komuna e Prizrenit gjatë vitit 2018 ka bërë 28 inspektime në lidhje me dëmtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, ka shqiptuar dy gjoba administrative nga 500 euro dhe ka ngritur pesë kallëzime penale.

“Asnjë ndërtim pa leje nuk është nisur në zonën historike të Prizrenit. Gjatë ndërtimeve të reja që kanë qenë në kufi me objektet e trashëgimisë kulturore, ka ardhur deri te dëmtimet e objekteve të trashëgimisë kulturore (tyrbja në sheshin e Shatërvanit – te qendra zejtare e cila është revitalizuar dhe objekti i Kryqit të Kuq)”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

Sipas Komunës së Prizrenit kanë qenë vetëm dy raste ku ndërtimet e reja të cilat e kanë tejkaluar lejen ndërtimore.

“Në njërin rast me urdhrin e inspektorit vet pronari e ka bërë rrënimin e tejkalimit, ndërsa në rastin tjetër është hapur konflikti administrativ”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

Në Prizren janë rrënuar gjashtë objekte të trashëgimisë kulturore, shtëpia dhe Hani i familjes Mullafazliu, shtëpia e  familjes Sokoli, shtëpia e familjes Myftiu, shtëpia e familjes Hisari si dhe shtëpia që është pjesë e kompleksit të Kishës Katolike. Është rrënuar një pjesë e murit rrethues të oborrit të familjes Grazhda nga pakujdesia e fqinjit, në të cilën ka pasur ndërhyrje emergjente nga QRTK në revitalizimin dhe renovimin e murit rrethues dhe të objektit ndihmës.

Sipas ‘Ec Ma Ndryshe’, mbrojtja dhe zhvillimi i Qendrës Historike të Prizrenit është përgjegjësi e ndarë e dy niveleve të qeverisjes dhe e një numri të madh institucionesh.

“Koordinimi  mes institucioneve të shtetit për të vendosur rend urbanistik në këtë zonë ka qenë i pamjaftueshëm, ani pse është i domosdoshëm”, theksohet në përgjigjen e tyre.

Sipas kësaj organizate, tregues për këtë është edhe fakti se Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit, e themeluar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) në vitin 2014, nuk është mbledhur që nga muaji maj i vitit 2016.

“Prandaj degradimi i Qendrës Historike të Prizrenit është tregues i dështimit institucional për ta mbrojtur këtë zonë”, vazhdon ‘Ec Ma Ndryshe’.

Komuna e Prizrenit nuk ka marrë në përkujdesje asnjë objekt të trashëgimisë kulturore e që ka qenë në pronësi private, përveç objektit në të cilin ka qenë Ministria e Financave e Lidhjes së Prizrenit.

“Ministria e Kulturës në bashkëpunim me QRTK kohë pas kohe kanë intervenuar me ndërhyrje emergjente në mbrojtjen e këtyre objekteve dhe në revitalizimin e këtyre objekteve nëpërmjet marrjes së masave të përkohshme për ndalimin e dëmtimit të mëtutjeshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore, renovimit, rikonstruktimit e kështu me radhë”, vazhdon përgjigja e Komunës së Prizrenit.

‘Ec Ma Ndryshe’ ka rikujtuar se në raportin e vitit 2018 të Komisionit Evropian për Kosovën theksohet se ‘incidentet e rrënimit të trashëgimisë kulturore kanë vazhduar  ilegalisht,  ndërsa  sanksionet  ndaj  kryesve  nuk  janë  shqiptuar’.

Në këtë raport gjithashtu është theksuar se nevojiten më shumë përpjekje për të siguruar mbrojtjen dhe menaxhimin adekuat  të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

“Institucionet e shtetit në të shumtën e rasteve kanë dështuar në zbatimin  e ligjeve në raport me këtë zonë, e mbi të gjitha në zbatimin e dispozitave sanksionuese. Ky mosveprim i institucioneve ka krijuar dhe zhvilluar kulturën e mosndëshkimit”, potencohet në përgjigjen e ‘Ec Ma Ndryshe’.

Komuna e Prizreni ka deklaruar se së bashku me OJQ-të dhe me QRTK  janë duke e përpiluar Planin për Menaxhimin e Qendrës Historike të Prizrenit. Paraprakisht, nga kryetari i Komunës së Prizrenit është formuar komisioni i përbërë nga ekspertët e lëmive të ndryshme për marrjen e masave të sigurisë dhe eliminimit të rrezikshmërisë për jetën e qytetarëve.

“Në partneritet me investitorë të jashtëm dhe të brendshëm (në këtë rast Komuna e Prizrenit) është hartuar projekti i revitalizimit te kompleksit arkitekturor në rrugën ‘Marin Barleti’. Së shpejti pritet të fillojë implementimi i këtij projekti”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

Asnjë koment

Comments are closed.