25-11-2024

Shkelje në pagesat për viza gjermane në “VisaMetric”, qytetarët do të rimbursohen

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se gjatë muajve të fundit ka pranuar një numër të madh të ankesave nga qytetarët që janë ankuar ndaj shërbimeve dhe pagesave që kanë bërë në “VisaMetric” në emër të shërbimeve për aplikim për viza Schengen për të udhëtuar në Gjermani.

MINT, nëpërmjet një kumtese, bën të ditur se Inspektorati i Tregut ka shqyrtuar të gjitha ankesat e pranuara nga konsumatorët, ka inspektuar edhe operatorin ekonomik “VisaMetric” në Prishtinë dhe ka trajtuar të gjitha ankesat e pranuara, duke vendosur në favor të konsumatorëve, njofton Klankosova.tv.

“Inspektorati i Tregut në MINT, ka bërë vizitë dhe është takuar edhe me drejtuesit e Operatorit Ekonomik ‘VisaMetric’ L.L.C në Prishtinë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ofrim të shërbimeve për konsumatorët, në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, duke pranuar se do të bëjnë rimbursimin e konsumatorëve që janë ankuar. Për shkeljet e konstatuara, Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë veprime konform ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

MINT thotë se duke marrë parasysh që mund të ketë numër të madh të qytetarëve/konsumatorëve që kërkojnë shërbime për aplikim për viza te operatorët ekonomikë, realizojnë edhe pagesa të cilat i konsiderojnë se mund të jenë të paarsyeshme apo edhe në rastet tjera që i vlerësojnë si shkelje të të drejtave të tyre, “i inkurajojmë që gjithherë të drejtohen në departamentin për mbrojtjen e konsumatorit”./ KK

 

Asnjë koment

Comments are closed.