24-10-2025

Shkëndija bën historinë, arrin fitoren e parë në fazën e grupeve të LK

Shkëndija e Tetovës ka shkruar historinë e futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke regjistruar fitoren e parë dhe tri pikët e para në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Skuadra kuqezi triumfoi me rezultat minimal 1-0 ndaj ekipit irlandez Shelburn, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.

Goli vendimtar erdhi në minutat shtesë, pas një goditjeje të fortë të Ronaldo Ëebster, që u devijua nga Patrik Barnet, duke përfunduar në rrjetën e skuadrës mysafire.

Pjesa e parë nisi me epërsi në posedim për irlandezët, por Shkëndija reagoi me disa kundërsulme të rrezikshme përmes Tambës dhe Spahiut, që rrezikuan portën kundërshtare.

Në pjesën e dytë, loja u hap edhe më shumë. Spahiu dhe Trumçi patën mundësi të mira për të shënuar, ndërsa Shelburn iu afrua golit në minutën e 65-të, kur pas një goditjeje me kokë, topi u përplas në shtyllë.

Kur gjithçka dukej se do të përfundonte në barazim, në minutën e 90+2, Shkëndija gjeti golin historik, duke ndezur atmosferën në tribunat e stadiumit të mbushur me mijëra tifozë kuqezi.

Me këtë fitore, Shkëndija jo vetëm që regjistroi triumfin e parë në historinë e saj në fazën e grupeve të një gare evropiane, por gjithashtu u bë skuadra e parë nga Maqedonia e Veriut që arrin një sukses të tillë./rtk

Asnjë koment

Comments are closed.