24-11-2024

Shkolla e fshatit Gorozhup të Hasit nuk ofron kushte për mësim (Video)

Shkolla fillore në Gorozhup të Hasit po përballet me probleme infrastrukturore pasi ambientet e brendshme të kësaj shkolle po krijojnë lagështirë, duke mos krijuar kushte optimale për zhvillimin normal të mësimit. Në këtë shkollë nuk është intervenuar që nga ndërtimi i saj në vitin 2000.

Fshati Gorozhup i Hasit shtrihet menjëherë poshtë malit të Pashtrikut , në zonën kufitare me Shqipërinë. Në këtë fshat funksionin shkolla fillore, ku vijojnë mësimin nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën .

Ndonëse shkolla ka ngrohje qendrore , dritaret e vjetruara dhe infrastruktura e dobët bën që ambienti të mos nxehet dhe në klasa të krijohet lagështi e myk .

“Lagështirë ka vallahi, i veshim fëmijët dhe nuk guxojnë mu zhvesh hiq se ftohtë,  po tutemi se po ftohen e përditë të doktori po duhet me i qu”, shprehet Remzije Tejeci,  prind nga Gorozhupi.

Shkolla është ndërtuar menjëherë pas luftës, nga një donacion i qytetit Bingen të Gjermanisë , të binjakëzuar me Prizrenin   .

Drejtori i shkollës, Halil Shehu, shpreson që këtë vit të përfundojë restaurimi i shkollës .

“Dritaret  janë të materialit të aluminit , janë të ndërtuara që në vitin 2000  dhe nuk është bërë ndërhyrje në to . Për arsye se janë vjetruar , uji depërton në to , sidomos në pjesën jugore . Unë e kam bërë këtë vit  kërkesën  për nyjet sanitare dhe dritaret “, thotë drejtori Shehu për RTK-në

Nga drejtoria komunale e arsimit në Prizren thonë se janë të njoftuar me këtë problem nga afër,  por sipas tyre, buxheti i drejtorisë është i pamjaftueshëm.

” Nëse nuk  do të ndodhë diçka arrijmë ndonjë marrëveshje për mbështetje financiare  me organizata të ndryshme  atëherë me rishikim të buxhetit , do të bëjmë përpjekje që të ndërhyjmë tek kjo shkollë”, thotë Luljeta Veseli Gutaj – Drejtoreshë e DKA-së.

Megjithatë, përfaqësues të opozitës thonë se është e domosdoshme të intervenohet në këtë shkollë.

” Prej atëherë megjithëse ka numër të vogël të nxënësve , ka mbet pa një përkujdesje do të thotë kanë kaluar mbi 20 vite ,  dhe sigurisht që ka nevojë të intervenohet aq më tepër që është në një zonë kufitare”, thotë Haziz Hodaj nga LDK-ja./RTK

Asnjë koment

Comments are closed.