Shkolla e mesme në Gjonaj ( Has ) – vatra arsimore me histori, por pa hapësirë për mësim
Shkolla e Mesme në Gjonaj – Ndikimi i saj dhe sfidat aktuale
Shkolla e Mesme në Gjonaj, nga e cila vjen edhe kryetari Shaqir Totaj, ishte hapur në kushte të vështira, falë kontributit të shumë hasjanëve gurbetqarë që financuan ndërtimin e objektit në lagjen Brezje, si dhe falë përkushtimit të disa intelektualëve dhe profesorëve hasjanë.
Numri i nxënësve në atë kohë ishte i madh dhe nga kjo shkollë kanë dalë shumë kuadro të rëndësishëm. Kjo shkollë ka pasur ndikim të madh, veçanërisht në emancipimin e vajzave në këtë trevë.
Megjithatë, pas më shumë se 30 vitesh nga themelimi, shkolla e mesme po përballet me një problem serioz – mungesën e objektit adekuat. Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren nuk po tregon interesim për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Sipas disa mësimdhënësve të shkollës, asnjëherë nuk është treguar kujdes i duhur për këtë institucion arsimor , as për objektin, as për kushtet në të cilat zhvillohet mësimi.
Në fillim të këtij viti shkollor, u shfaqën probleme serioze në shkollën e mesme në Gjonaj, ku për disa ditë nuk filloi fare mësimi, për shkak të mungesës së klasave. Edhe sot, procesi mësimor nuk është normalizuar plotësisht.
Në objektin e madh te “Kodra e Pajtimit”, Drejtoria e Arsimit kishte vendosur që shkolla fillore dhe ajo e mesme të ndajnë të njëjtin objekt. Mirëpo, këtë shtator, shkolla fillore ka bërë një riorganizim të procesit mësimor, duke kaluar në një ndërrim të vetëm, ndonëse deri vitin e kaluar funksiononte me dy ndërrime (klasat 6–9 paradite, klasat 1–5 pasdite).
Ky ndryshim, siç duket, është bërë pa marrë parasysh pasojat për shkollën e mesme. Si rezultat, asaj i janë marrë klasat dhe tani nxënësit e shkollës së mesme janë të detyruar të zhvillojnë mësimin nëpër zyra të vogla, të cilat nuk përmbushin as kushtet minimale – as për hapësirë, as për ajrosje, e lëre më për standarde të tjera didaktike.
Ndryshimet kanë sjellë pasoja edhe për vetë shkollën fillore, pasi të gjitha kabinetet janë nxjerrë jashtë funksionit. Tani ato nuk janë më në dispozicion të nxënësve të klasave 6–9. Jashtë funksionit ka dalë edhe biblioteka e shkollës, e cila është shndërruar në klasë mësimi. Në anën tjetër, Drejtoria e Arsimit vazhdon të deklarojë se prioritet i saj është hapja e sa më shumë kabineteve, por në këtë shkollë ato janë mbyllur. Si pasojë, gjeneratat e ardhshme do të dalin pa bërë praktikë në kabinetin e biologjisë, kimisë apo fizikës – dhe këto pasoja do t’i bartin vetë nxënësit.
Disa prindër dhe mësimdhënës kanë reaguar ndaj këtij problemi. Ata kanë kërkuar që Drejtoria e Arsimit dhe Inspektorati i Arsimit të dalin në terren dhe të shohin nga afër në çfarë kushte po zhvillohet mësimi në shkollën fillore dhe të mesme në Gjonaj./Hasi Real Newss