25-11-2024

Shkollat e Prizrenit në pritje të drejtuesve të rinj

Për shkak se qeverisjen e ish-kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka e ka karakterizuar kryesisht menaxhimi  i shkollave me ushtrues detyre të drejtorit apo zv/drejtorit, ku pozitat nuk ishin të sigurta, meqenëse procesi nuk ka shkuar përmes konkursit dhe kualifikimeve adekuate, referuar të dhënave nga mësimdhënësit dhe diskutimeve në mbledhjet e Kuvendit Komunal, gjendja shkonte drejt përshkallëzimit.

Përkundër bindjes së disa drejtorëve për vazhdimin e mandatit të Haskukës, të cilën e shprehnin shpesh edhe haptas në rrjetet sociale, me fotografi e mbishkrime  “Myta + 4 ”, (ndonëse kjo s’lejohet për shërbyes civil), ku shpresonin që kësisoj edhe ata ta vazhdonin mandatin, gjërat ndërruan.

Humbja e kryetarit i zhgënjeu. Këtu nisi edhe më tepër tatëpjeta dhe rënia e moralit të tyre, aq më tepër që në disa raste u bë e qartë se karriera po u kalonte vetëm si u.d. (tri vjet radhazi). Në pozitë edhe më të keqe ranë edhe disa të emëruar e preferuar nëpër shkolla e kolektive,  pa kaluar fare nëpër konkurse.

Referuar përfaqësuesve sindikal, në shumë shkolla tashmë ka rënë disiplina e higjiena, për shkak të neglizhencës së disa drejtorëve, të cilët siç thamë shkaku i ekspozimit politik, gjatë fushatës zgjedhore, tashmë e kanë të sigurt largimin, aq më tepër kur janë edhe në shkelje ligjore. Ata disa herë kanë tejkaluar afatin e lejuar si ushtrues detyre (më së shumti 6 muaj).

Padyshim, që kjo situatë është reflektuar në shumicën e institucioneve edukative, të cilat janë ngarkuar me mbinorma shumë mësimdhënës, ka shumë zëvendësime. Ka u.d drejtor e zv/drejtor që marrin honorar, ( mbi 700 euro) duke mbajtur dy pozita njëkohësisht.

Sipas informacioneve, disa u.d të drejtorit, të cilët Haskuka i proklamonte si të suksesshëm, tashmë u janë vardisur pushtetarëve aktual, madje edhe me kushtëzime. Në këtë rast bëhet fjalë për ata, që disa herë kanë ndërruar parti për të mbijetuar  (nga LDK-PDK-Nisma-VV). Për më keq, gjatë kalkulimeve të brendshme në zyrat e pushtetarëve, ata emërohen si “sahanlëpirës”, “servil”, e të ngjashme.

Për këtë, jo vetëm qeverisja e sapozgjedhur në Prizren, por edhe të gjitha subjektet politike dhe shoqëria civile qëllimmirë, duhet mobilizuar për intervenim sa më urgjent në arsim. Kërkohet shpallje e shpejtë e Konkursit, përzgjedhje e kuadrove serioze e të dinjitetshëm, që fokusin e kanë te puna e jo ekspozimi e propaganda nëpër “facebook”.

Kjo në asnjë formë nuk duhet lejuar të rishfaqet. Ndryshe, siç thotë populli “Mësysh-in e tyre do ta marrë pushteti i ri”, prej të cilit pritshmëria qytetare për ndryshime pozitive është tejet e madhe. /GazetaePrizrenit.net

Lexoni edhe:

Në arsimin prizrenas kërkohet intervenim urgjent

 

Asnjë koment

Comments are closed.