Shkundet Japonia, tërmeti 7.6 ballë godet shtetin aziatik, pamjet tronditëse që pushtuan rrjetin
Një tërmet i fortë me magnitudë 7.6 ballë goditi prefekturën Aomori në veri të Japonisë pak pas orës 23:00 të hënën, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
Epiqendra e tërmetit ishte 80 kilometra larg bregut lindor të Aomorit, me një thellësi prej 50 kilometrash dhe një paralajmërim për cunami deri në tre metra është lëshuar për tre prefektura: Aomori, Hokkaido dhe Iwate.

Menjëherë pas tërmetit, Shërbimi Meteorologjik regjistroi një cunami prej 30-50 centimetrash në tre zona, ndërsa autoritetet u bënë thirrje banorëve të zonave bregdetare të evakuohen menjëherë dhe të zhvendosen në vende më të larta.
Intensiteti i tërmetit në shkallën japoneze nga 1 deri në 7 është 6+, sipas JMA. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tha se tërmeti goditi qytetin e Misawa.

Rreth 20 minuta më vonë, një pasgoditje me magnitudë 5.6 ballë u regjistrua në të njëjtën zonë detare.
Sipas mediave lokale, dridhjet u ndjenë deri në Tokio.
Në vitin 2011, vendi regjistroi tërmetin më të fortë në historinë e tij, i cili shkaktoi valë të mëdha cunami që arritën 40 metra në disa rajone.
