30-05-2025

Shoferët s’i ndalin as semaforët, 7 kapen duke kaluar në të kuqe për vetëm 40 minuta në Prizren

Njësia Rajonale për Trafik Rrugor në Prizren, në kuadër të përpjekjeve për të rritur sigurinë në komunikacionin rrugor,  ndërmori sot një sërë veprimesh operative në territorin e saj, që kanë rezultuar me konfiskimin e 11 patentë shoferëve.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, tri patentë shoferë janë konfiskuar në segmentin rrugor Suharekë – Carralevë, për shkak të tejkalimit në vijë të plotë. Shkeljet janë dokumentuar përmes video-incizimeve nga kamera e veturës me radar mobil.

Ndërkohë, gjatë një aksioni të realizuar nga ora 08:20 deri në 09:00 në rrugën “Wesli Klark” në Prizren, janë konfiskuar shtatë patentë shoferë për mosrespektim të dritës së kuqe në semafor.

Një tjetër patentë shofer është konfiskuar pasi gjatë kontrollit, në automjet është vërejtur një fëmijë i ulur në ulësen e përparme, çka përbën rrezik serioz për sigurinë e fëmijës dhe shkelje të rregullave ligjore për transportin e tyre.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor, për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e të gjithëve.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.