Shoqata “Rinia” në Prizren vatër e krijuesve të rinj
Sot mbushen 35 vjet nga themelimi i shoqatës artistike “Rinia”. “Me qëllim që t’i jap impulse të theksuara krijimtarisë dhe t’u ndihmojë krijuesve të rinj, më 11 nëntor 1983 u mbajt mbledhja e kuvendit themelues të saj”, kujton Adem Kolgeci, njëri ndër themeluesit. Me këtë rast u aprovua statuti, programi dhe u zgjodhën organet drejtuese të shoqatës, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Bashkim Susuri, ish-kryetar i shoqatës, lidhur me strukturën organizative thotë se shoqatën e përbënin: departamentet e artit, arsimit e gazetarisë, si dhe qendra kulturore-arsimore e fëmijëve.
Në kuadër të departamenteve funksionuan seksione dhe grupe të ndryshme. Shoqata është orvatur që vlerat kulturore të bëhen pjesë e rinisë. Gjatë 40 viteve të aktivitetit ka arritur të zhvillojë shumë forma të veprimtarisë kulturore artistike.
Ish-koordinatori i shoqatës, Bashkim Gashi duke treguar disa të dhëna statistikore rreth punës së bërë, thotë se janë organizuar 18 ekspozita të artit figurativ dhe aplikativ, janë mbajtur 32 orë letrare dhe janë organizuar 18 konkurse letrare.
Anëtarët e grupit muzikor u paraqitën para publikut 43 herë. Në degë të ndryshme u aftësuan rreth 200 të rinj. Në vitet e mbijetesës për shqiptarët e Kosovës, kur jeta kulturore u reduktua dukshëm shoqata me aktivitetet e saj u mundua që në një masë ta mbuloj këtë hapësirë.
Bashkim Sylejmani, drejtues dhe donator i shoqatës, tregon se në vitet ’90-ta u organizuan manifestimet: “Ditët e Dodonës”, “Ditët e Komedisë”, “Vallja poetike”, “Dora-dorës”, “Miss Prizreni ‘93”, si dhe në bashkorganizim të manifestimeve kremtuese të 115 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP).
“Anëtarët e grupit muzikor përveç koncerteve, morën pjesë edhe në festivalet: “Vullneti” dhe “Opoja” në të cilat disa herë u nderuan me çmime”, kujton Bajram Duja, drejtues i këtij grupi.
Për herë të parë në vitin 1995 u organizua manifestimi muzikës rapsodike me pjesëmarrjen e rapsodëve me zë nga mbarë Kosova. Gjadi Gashi, rapsod dhe ish-aktivist i shoqatës, tregon se manifestimi ngjalli interesim të madh tek dashamirët e kësaj muzike. Ky aktivitet vazhdoi organizimin edhe gjatë viteve vijuese.
Qazim Morina, drejtues i departamentit të gazetarisë, thotë se u organizuan disa kurse dhe trajnime për të rinjtë në lëmin e gazetarisë, duke veçuar me këtë rast projektin “Shkolla e lirë e gazetarisë”.
Në kuadër të këtij departamenti u botua edhe gazeta “Sporti” e cila bëri jehonë dhe hasi në përkrahje të gjerë dhe u vlerësua si nismë e qëlluar.
Anëtarët e shoqatës ishin pjesë aktive dhe në shumë aktivitete të rëndësishme të kohës. Duke mos pasur mundësi që të gjithë anëtarët dhe kontribuuesit të përmenden, ish-drejtuesit vlerësojnë sinqeritetin, angazhimin dhe kontributin e secilit./GazetaePrizrenit.net/