24-11-2024

Shpallen fajtorë dy të akuzuarit që rrahën vëllanë e tyre në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, të mërkurën i ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Naim Përteshi dhe Valon Përteshi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Qemail Suka, të akuzuarit janë shpallur fajtorë për veprën e ngarkuar si në aktakuzë dhe janë dënuar me gjobë me nga 200 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata të akuzuarit veç e veç  i ka ngarkuar edhe me pagimin e shpenzimeve të ekspertizës mjekoligjore në shumë prej 10 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro si dhe paushallin gjyqësor shumën prej 20 euro.

Palën e dëmtuar gjykata e ka udhëzuar që kërkesën pasuroro juridike, ta realizojë në kontest të rregullt civil.

Pas pyetjes nga ana e Prokurorit Musli Gashi se të akuzuarit a e ndjejnë veten fajtor. Të akuzuarit janë deklaruar se e ndjejnë veten fajtor dhe janë penduar për veprën e kryer, duke premtuar se në të ardhmen nuk kanë për ta përsëritur të njëjtën.

Gjyqtari ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe të njëjtit i ka shpallur fajtorë.

Vlen të theksohet se në seancën e kaluar për këtë çështje prokurorja Mehreme Hoxha ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga veprat penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nenparagrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të KP-së dhe veprës penale “dhuna në familje” nga neni 248 paragrafi 2 të KP-së, në veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 3 nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1, lidhur me atë 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Naim dhe Valon Përteshi, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 3 nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1, lidhur me atë 31 të KPK-së si dhe veprës penale “dhuna në familje” nga neni 248 paragrafi 2 të KPK-së.

Sipas aktakuzës të akuzuarit, akuzohen se më 3 nëntor 2019 rreth orës 9:00 në shtëpinë e tyre në bashkëveprim me dashje i shkaktojnë lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit- vëllaut të tyre K. Përteshi, duke i shkaktuar dhunë ose keqtrajtim fizik  me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit brenda një marrëdhënie familjare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur i dëmtuari ka thyer një guaskë të banjos për shkak të papastërtisë, të pandehurit e sulmojnë fizikisht me shqelma e grushta, duke i shkaktuar të njëjtit lëndime të lehta trupore. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.