Shpallen fajtorë tre zyrtarët e Fushë-Kosovës të akuzuar për korrupsion
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë zyrtarët e Fushë-Kosovës, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, të akuzuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Shpallja e aktgjykimit u bë të premten nga gjykatësja Medie Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, seanca për caktimin e dënimit u caktua për 15 prill 2024.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtarë nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Nishori akuzohet se si zyrtare ligjore kishte përpiluar aktvendimin për revokimin e bartjes së pronësisë, e cila ishte në emër të dëmtuarve S.K., B.K., Z.K dhe Xh.K., Kurse, Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masë të sigurisë.
Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.
Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku ngarkohet që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë./IO
Lexo edhe: