Shpallet e pafajshme zyrtarja ligjore e MMPH-së, e akuzuar për korrupsion
Të enjten, Gjykata Themelore e Prizrenit e ka shpallur të pafajshme zyrtaren ligjore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Hadije Kasumi, e akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësja Ajser Skenderi, e cila tha se pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitarëve si dhe mbrojtjes së të akuzuarës, nuk është vërtetuar se e pandehura Kasumi e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi.”
Lidhur me shpenzimet procedurale, gjykatësja Skenderi tha se të njëjtat bien në barrë të gjykatës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 4 dhjetor 2019, Hadije Kasumi akuzohet se gjatë vitit 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtare ligjore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në Prishtinë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të saj me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se e akuzuara, më 21 mars 2018, merr vendim me të cilin shfuqizon aktvendimin e datës 21 mars 2018 të Drejtorisë për Inspeksion të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, me ç’rast gjatë vendosjes në shkallë të dytë, me ankesë të palës nga Drejtoria e Inspeksionit dhe Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk kërkon shkresat dhe dokumentacionin e vendosjes në shkallë të parë lidhur me mosdhënie të lejes për ndërtim qytetarit Driton Morina, me ç’rast kishte për të ardhur në përfundim se në çështjen konkrete nuk ka pasur heshtje administrative rreth kërkesës për leje-ndërtim siç pretendon Morina, në padinë e kompensimit të dëmit lidhur me rrënimin e objektit.
Sipas aktakuzës, pasi Komuna e Prizrenit-Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, më 30 gusht 2017, ka hudhur kërkesën për leje ndërtimore, e pandehura me marrjen e një vendimi në shkallë të dytë e aprovon ankesën e Luan Morinës dhe e kthen çështjen në rishqyrtim, duke u bazuar vetëm në shkresat e palës, e cila ka parashtruar ankesë, dhe kështu i mundëson Morinës në kontestin civil të kërkojë kompensimin e dëmit në shumë prej 70,000 euro për rrënim të objektit, duke dëmtuar për këtë shumë Komunën e Prizrenit. /BetimipërDrejtësi