23-11-2024

Shpallet i pafajshëm zyrtari policor që përvetësoi 5 euro nga personi i ndaluar

Gjykata Themelore në Prizren, sot ka shpallur aktgjykim lirues ndaj zyrtarit policor,  Selman Ukzeka.

Ukzeka është akuzuar se si zyrtar policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, në maj të vitit 2019, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, bën regjistrimin e gjësendeve të tij, me ç ’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej 5 euro që i posedonte i dëmtuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani thuhet se pas mbajtjes së disa seancave gjyqësore dhe pas dëgjimit të disa dëshmitarëve dhe administrimit të provave, gjykata ka ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarit Selman Ukzeka, nuk formohen elementet e veprës penale për të cilën është akuzuar.

Në kuptim të nenit 364 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i akuzuari Ukzeka lirohet nga të gjitha akuzat, thuhet në aktgjykim.

Të gjitha shpenzimet procedurale do të kryhen nga ana e gjykatës, ka deklaruar gjykatësi Osmani.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor 2019, Selman Ukzeka akuzohet se me 10 maj 2019, në cilësinë e zyrtarit policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, i drejtohet me pyetjen: “A janë këto gjësende, 2×5 euro, aksesori, ora e dorës dhe kuleta e juaja?” dhe në momentin kur i ndaluari shfrytëzon tualetin, i akuzuari bën regjistrimin e gjësendeve, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro.

Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari del nga tualeti, i pandehuri ia jep formularin për nënshkrim, e bastis në trup dhe e dërgon në dhomë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, pas 30 minutave, shkon në dhomën e ndalimit dhe e pyet të dëmtuarin për disa kartëmonedha të huaja, të cilat pasi i nxjerr nga kuleta ia ofron të dëmtuarit në shikim, e më pas në formular të pranimit e regjistron se i dëmtuari, përveç gjësendeve të lartpërmendura, i ka pasur vetëm 5 euro e 20 cent. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.