Shpallet vendimi ndaj kryeinspektorit, Bedri Halimi, akuzohej për korrupsion për rastin “Prevalla”
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe e ka shpallur të pafajshëm nga akuzat për korrupsion në rastin ‘Prevalla’, kryeinspektorin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Halimi përmes një postimi në Facebook.
“Gjykata e Apelit, e ka vërtetuar Aktgjykimin e shkallës së parë, të Gjykatës Speciale, për pafajsinë time, në rastin e Prevallës”, ka shkruar Halimi.
Bedri Halimi në nëntor të vitit të kaluar ishte shpallur i pafajshëm nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi duke punuar kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcakuara me vendimin e ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15 nëntor 2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.
Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara. Sipas prokurorisë, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që nga 14 dhjetorit 2013 e deri tash nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.