Shpërndarja e druve për kategoritë sociale përcillet me ankesa
Komuna e Prizrenit këtë javë ka filluar shpërndarjen e druve për ngrohje për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës, familjet skamnore, si dhe për tri institucionet që merren me shërbime dhe përkujdesje ndaj personave me aftësi të kufizuar.
Sasia e përgjithshme e cila është paraparë të shpërndahet për këto kategori arrin në 1.400 metra kub dru.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, nënkryetari, Eshref Memaj dhe drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi, të premten kanë inspektuar procesin e shpërndarjes së druve për ngrohje.
Para zyrtarëve të lartë komunalë, përfituesit kanë shprehur shqetësimin lidhur me mbarëvajtjen e këtij projekti, përkatësisht tollovisë së krijuar në shpërndarjen e këtyre lëndëve për ngrohje, shkruan Koha ditore.