25-11-2024

Shpërthimi në Zhur, dëshmitari thotë se të akuzuarit i kanë thënë se kapsollat dhe eksplozivi ju nevojitet për të thyer gur

Në Gjykatën Themelore në Prizren, këtë të hënë në gjykimin ndaj  të akuzuarve Iran Badalli dhe Arben Gashi është dëgjuar dëshmitari Valbon Qollaku i cili ka thënë se të akuzuarit i kanë thënë se kapsollat dhe eksplozivi i nevojiten që të thyejnë gur.

Të akuzuarit Badalli dhe Gashi, akuzohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e policit Sami Thaqi dhe lëndime të rënda trupore pësuan pesë persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurorit Metush Biraj se cila ka qenë arsyeja që në fund të muajit dhjetor 2019 Rami Badalli ka ardh në banesën tuaj, dëshmitari Qollaku ka thënë se Rami Badalli dhe dy persona të tjerë Irani dhe personi tjetër emri i të cilit nuk i kujtohej.

Dëshmitari Qollaku, tha se ata kanë shkuar tek banesa e tij dhe se kanë kërkuar nga ai të marrin eksploziv që të thejnë gur.

“Ramia ka ardh para banesës më ka thirr me telefon më tha ku gjendesh, unë i kam thënë se gjendem në banesë, ku u takuam më tha se këtyre po ju nevojitet me thy gur, unë i thash se i kom mjetet hidraulik që mujn me thy gur, masanej me thanë jo se po na nevojitet kapsolat dhe dinamit për me thy vet gurë”, tha dëshmitari Qollaku.

Po ashtu, ai tha se para banesës së tij kanë shkuar me veturë Rami Badalli, i akuzuari Badalli dhe personi i tretë i cili për të cilin tha se tani i kujtohej emri dhe së të njëjtëve ia ka siguruar një kapsollë elektrik dhe një mekanik.

Ai shtoi se, po atë ditë i kanë dhënë kaparin në shumën prej 200 euro personi i cili tani i kujtohet që e kishte emrin Arben.

Gjithashtu, dëshmitari Qollaku tha se pas dy jave gjatë bisedës me telefon e ka njoftuar të akuzuarin Badalli se ardhur pjesa por pa e përmendur në telefon se kanë ardhur kapsolla.

Në pyetjen tjetër të prokurorit Biraj se pas bisedës me të akuzuarin Badalli, kush ka ardhur që ti marrë kapsollat, dëshmitari ka thënë pas dy dite prej bisedes me të akuzuarin Badalli, i njëjti e ka telefonuar dhe i ka thënë  se nuk ka të holla dhe se paratë do të ia jap i akuzuari Gashi.

“Pas nja dy dite prej bisedës me Iranin më ka thënë se nuk ka të holla se kur të vjen miku e ka pas fjalën për Arbenin ti bjen paret, dhe kan ardh pas dy dite”, tha dëshmitari Qollaku.

Tutje, ai tha se në podrumin e banesës së tij kanë shkuar të akuzuarit Badalli dhe Gashi, ku të njejtëve tha se i ka dhënë një kapsollë elektrike dhe një kapsollë me fitil dhe kutinë me tetrapak, të cilat tha se i kanë dërguar tek vetura dhe se i kanë dhënë shumën prej 200 euro e që të njëjtit nuk i kishte takuar më prej asaj dite.

Në pyetjen e prokurorit Biraj se kush prej të akuzuarve Badalli apo Gashi e ka futur eksplozivin nën karrigen e shoferit, dëshmitari tha se i akuzuari Badalli kapsollat i ka futu në xhep, kurse sipas tij nën karrigen e ndihmësit të shoferit e kanë lënë kutinë që ka pasur eksplozivë dhe se automjetin e ka drejtuar i akuzuari Gashi.

Ndërsa, në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar Merita Qunaj, avokat Blerim Mazreku se në kohën kur i kishte takuar personat e lartcekur sot a e ka bërë thyerjen e betonëve dhe gurëve me mjetet hillt dhe kompresor dhe se a i ka njoftuar për këtë mënyrë, dëshmitari tha se të njëjtit i ka njoftuar për këtë mundësi por të njëjtit sipas tij kanë thënë se thyerjen dëshirojnë ta bëjnë vet.

Në pyetjen tjetër të avokatit Mazreku se a të kanë treguat të njëjtit se ku kanë planifikuar të thyejnë gurë, dëshmitari tha se të njëjtit i kanë thënë se këtë do të bëjnë në bjeshkë.

“Veç më kanë thënë se diku në bjeshkë kanë me thy gurë, Arbeni më ka thënë”, tha dëshmitari Qollaku.

Ndryshe, në fillim të seancës, avokati Mazreku ka njoftuar trupin gjykues se ka kontaktuar me përfaqësuesin e palës së dëmtuar Artur Mrasori, avokatin Besnik Berisha dhe se i njëjti e ka informuar që nuk ka marrë ftesë dhe se ka propozuar që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet.

Lidhur me këtë, i dëmtuari Mrasori ka thënë se me rastin e dëgjimit të dëshmitarit Qollaku të jetë prezent edhe avokati Berisha dhe ka propozuar që kjo seancë të shtyhet.

Kundërshtime për shtyrjen e seancës, ka paraqitur mbrojtësja e të akuzuarit Badalli, avokate Emira Gavazaj Gashi e cila tha se këto kërkesa janë të paarsyeshme dhe se janë kundër efikase dhe zvarritje si dhe mungesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar nuk është vetëm në këtë seancë.

Po ashtu, në këtë seancë në cilësinë e ekspertit është dëgjuar Besim Hasanaj, i cili tha se në raportin e dorëzuar gjykatës tha se nuk kanë mundur që të bëjë përcaktimin e drejtimit të lëvizjes së automjetit sipas urdhëresës së gjykatës pasi që mungojnë dëshmitë për ta bërë këtë.

“Siç e shihni edhe në raport ekspertimet në sektorin e imazhit digjital kanë për bazë videot, në këtë rast në dëshmi të pranuar nuk kemi pranuar ndonjë video ku shihen lëvizjet e automjetit për të marrë drejtimin e lëvizejve siç është e përcaktuar në udhërese”, tha eksperti Hasanaj.

Ai po ashtu ka thënë se, element primar për ekzamininin e dëshmive në divizionin e tyre është video incizmi kështu që në mungesë të video incizimin nuk ka mundur të bëjë ekzaminin sipas procedurave standarde në Agjensionin Kosovar të Forenzikës (AKF).

Në pyetjen e avokates Gashi se në dëshminë D1 ka qenë edhe një CD me kapacitet 700 MG rent a car GPS, sipas punës juaj a nuk mjafton një CD ku i keni të evidentuara të gjitha lëvizjet e makinës “Tyota Yaris”, dëshmitari tha se ai është raport me kordinata dhe GPS nuk është video incizim dhe se në AKF kanë standarde që nuk mund t’i anashkalojnë dhe se ajo po kërkon një mendim që nuk është subjekt i ekspertizës së divizionit të tyre.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi për shkak të mbarimit të orarit të punës ka ndërprerë seancës e sotme, kurse seancat e radhës janë caktuar më 13 dhe 16 shtator 2022.

Ndryshe, sipas dispozitivit i të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi akuzohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, lëndimeve të rënda dhe të lehta trupore të personave të tjerë.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit kah fillimi i muajit janar 2020  në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli ne fshatin Zhur Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor Sami Thaçi, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasor, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime të rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa në dispozitivit II të aktakuzës thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi 

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.