Shpresë e re për qindra pacientë/ Kurti bën për hair investimin jetik në Onkologji: Aparaturë moderne kundër kancerit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë marrë pjesë të mërkurën në përurimin e akseleratorit të ri dhe bunkerit në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një projekt që cilësohet si investimi më i madh i këtij viti në këtë institucion shëndetësor.


“Jemi në Klinikën e Onkologjisë, e cila ka përjetuar një transformim rrënjësor, si në kushtet për pacientët ashtu edhe për stafin. Kjo klinikë tashmë është shembull në Kosovë. Nga 45 shtretër sa kishte më parë, sot ka 150 shtretër. Vlera e përgjithshme e pajisjeve është 2.7 milionë euro dhe ky investim është realizuar për vetëm pesë muaj. Akseleratori, në vlerë prej 1.6 milionë eurosh, ofron saktësi maksimale në rrezatim, duke goditur tumorin pa dëmtuar indet përreth. Kjo do ta zvogëlojë edhe më shumë listën e pritjes dhe do të sigurojë kushte shumë më të mira pune”, ka thënë Kurti, transmeton IndeksOnline.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se pajisja e re do ta lehtësojë ndjeshëm punën e stafit dhe do të përmirësojë ndjeshëm shërbimet për pacientët.
Akseleratori i ri ofron saktësi maksimale në rrezatim, duke goditur tumorin pa dëmtuar indet përreth, çka pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e trajtimit dhe në zvogëlimin e listave të pritjes.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është kënaqësi që sot po përurohet akseleratori i tretë në Klinikën e Onkologjisë.
“Nuk do të ketë më fare lista të pritjes. Investimet do të vazhdojnë në këtë klinikë dhe në klinikat e tjera, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të kërkojnë shërbime jashtë vendit”, deklaroi Vitia.
Ai shtoi se Klinika e Onkologjisë po shndërrohet në shembull të punës dhe zhvillimit në sektorin publik shëndetësor.
