Shqetësuese në Kosovë: Shtatë të vdekur në vendin e punës për shtatë muaj – sa gjatë gjithë vitit 2024
Alarmante konsiderohen shifrat e vdekjeve në vendin e punës. Me tri vdekjet në dy vendpunishte të ndryshme gjatë së hënës së 21 korrikut, numri i punëtorëve që kanë humbur jetën këtë vit nga lëndimet në vendin e punës, ka shkuar në 7, raporton Gazeta Sinjali.
E kjo shifër kur kemi edhe pesë muaj deri në përfundim të vitit, është e barabartë me sa ishte në total të 2024-ës.
Kur themi nga lëndimet në vendin e punës, në të shumtën e rasteve i referohemi vendpunishteve të ndërtimtarisë. Sektor i cili konsiderohet si më i rrezikshmi për shkak të kushteve jo të sigurta në të cilat operohet.
Dy personat që humbën jetën të hënën në Gjakovë, Hazir Jakupi 48-vjeçar dhe Daut Bajraktari 50-vjeçar, ranë nga një lartësi prej tre metrash teksa po punonin në një objekt. Më të papranueshme sipas Inspektoratit Qendror të Punës, e bën fakti se hapësira ku vdiqën këta dy punëtorë në Gjakovë, u gjobit dy herë për shkelje të përsëritura.
Teksa flasim për pasigurinë në vendin e punës, lëndimeve që i mori një muaj më parë, nuk iu përballoi as Avdyl Osmanaj, 65-vjeçar, i cili kishte rënë nga kati i tretë i një objekti ku po punonte në fshatin Zallq të Istogut, derisa të hënën e 21 korrikut, nga QKUK-ja u njoftua për vdekjen e tij.
Sipas Zyrës së Inspektoratit, plot 268 aksidente kanë ndodhur këtë vit në nivel vendi që nga janari, me ç’rast shtatë prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.
“Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi”, është thënë mes tjerash në reagimin e Inspektoratit.