Shqipëri: Protesta, kërkohet dorëheqja e ministres së Shëndetësisë
Dhjetëra qytetarë u mblodhën në protestë para Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë më 26 qershor, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Kërkesa për dorëheqje vjen një ditë pasi Prokuroria e Tiranës bëri të ditur se ka nisur hetimet ndaj disa mjekëve dhe punonjësve të spitalit të Onkologjisë, pasi dyshohen se kanë krijuar një skemë abuzive duke transferuar pacientë nga spitali shtetëror në një klinikë private në Tiranë.
Një ditë më parë shtatë persona, mes të cilëve edhe dy mjekë të spitalit të Onkologjisë dhe zëvendësdrejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë vënë nën hetim dhe janë shkarkuar.
“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin e Onkologjisë”, u tha në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë thanë se përgjegjës për këtë rast, por edhe për mjaft denoncime të tjera të ngjashme në media, nuk janë vetëm mjekët e vënë nën hetim, por edhe drejtues të Qendrës “Nënë Tereza” dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.
Protestuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Ç’u bë me betimin e Hipokratit?” apo “Ministria e Vdekjes”, referuar Ministrisë së Shëndetësisë.
“Kërkojmë dorëheqjen e ministres Koçiu, dorëheqje edhe të zinxhirit drejtues të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Të klasifikohet vrasje me dashje mungesa e mjekimit në spitale dhe lënia e pacientëve pa mjekim. T’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit për mjekët dhe infermierët që nuk ofrojnë shërbime për të sëmurët”, ishin disa prej kërkesave të protestuesve.
Protestuesit bënë thirrje që hetimet për këtë rast të vazhdojnë dhe të vihen para përgjegjësisë të gjithë ata persona që janë të përfshirë në këtë skemë.
Në disa prej pankartave që mbanin protestuesit, shkruhej “Devijim destinacioni”, apo “Si të duken Maldivet” kjo për faktin se në përgjimet e bëra publike në media, mjekët diskutonin për numrin e operacioneve që duhet të bënin për të garantuar pushime në Maldive.
Për këtë çështje opozita ka kërkuar interpelancë urgjente në Kuvend me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Sipas autoriteteve shqiptare, shtatë punonjësit e spitalit shtetëror bashkëpunonin me administratorin e një klinike private, duke dërguar atje pacientët me sëmundje tumorale, që detyroheshin të paguanin deri në 3.000 euro për shërbimin që e përfitojnë falas në qendrën “Nënë Tereza”.