Shqipëria i mëshon shqelm fukarallakut? Edi Rama paralajmëron se nafta pritet të kthehet në përfitime kolosale për vendin
Një pasuri e jashtëzakonshme e nëntokës shqiptare siç është nafta, pritet të kthehet në përfitime kolosale për vendin tonë përmes pagesave se asaj që njihet si renta minerare.
Bëhet fjalë për puset e shpuara në Shpirag të Beratit nga ku pritet të nisë nxjerrja e arit të zi. Të gjitha taksat që do mblidhen çdo vit nga nxjerrja e naftës në Shpirag, parashikohet të jenë qindra milionë dollarë në vit.
Qeveria planifikon t’i administrojë ato nga Fondi Sovran.
Nga burime qeveritare gazetari Top Channel Muhamed Veliu, mëson se ky Fond Sovran do të krijohet prej vjeljes së rentës minerare, fillimisht nga prodhimi naftës dhe gazit në puset e naftës në Shpirag, e më pas do ti shtohen të ardhurat nga të tjera vendburime, si ato të Dumresë.
Pyetur nga Top Channel se si do të përdoren paratë e mbledhura në Fondin Sovran, i njëjti burim sqaroi se “e para gjë që qeveria do të bëjë është rritja e pensioneve dhe më pas investime pasi Fondet Sovrane kanë si qëllim qarkullimin e shtimin e tyre”.
Momentalisht qeveria është duke studiuar Fonde të ngjashme në disa shtete si Norvegjia, Arabia Saudite dhe atë të Azerbajxhanit.
Nga studimet paraprake për qeverinë shqiptare, modeli fondit norvegjez shihet si i mundshëm për tu zbatuar në vendin tonë.
Fondi Shqiptarë Sovran do të ketë në bord emra të shquar të fushës së ekonomisë ndërkombëtare. Disa muaj më parë kreu qeverisë shqiptare, është deklaruar se do të jepte një lajm të madh për shqiptarët.
Dhe ky lajm me sa duket, lidhet pikërisht me zhvillimet që vinë nga shpim-kërkimi naftës në Shpirag.
“Sot në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës”, thotë Rama.
Edi Rama angazhohet se të mirat materiale të përkthyera në qindra milion dollarë në vit, nga kjo pasuri e zbuluar do të menaxhohet maksimalisht në të mirë të shqiptarëve.
“Në fund të këtij viti do ta mësojmë këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare”, sipas Ramës.
Paçim fat tanimë thotë kryeministri Rama, kur kjo përpjekje thuajse dhjetëvjeçare, po i afrohet orës vendimtare të së vërtetës./TCH