Shqipëria pranon sistemin ‘Javelin’, Vengu: Kosova dhe Shqipëria, pjesë e ndihmës ushtarake amerikane
Njësoj si Kosova edhe Shqipëria në prag të Vitit të Ri ka përforcuar kapacitetet e saj mbrojtëse me marrjen e sistemeve raketahedhës Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një ndihmese për Forcat e Armatosura Shqiptare.
Ministri i Shqipërisë i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka vërë të ditur se kjo mbështetje rrit nivelin e parandalimit, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
Vengu përmes një video ka konfirmuar se tashmë veçse ka përfunduar dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin, dhe duke theksuar se ndihmesa përfshin edhe Kosovën, në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Shtetet e Bashkuara.

“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi me SHBA-në, përfshirë edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, u shpreh ministri.
Sipas Vengut, rëndësia e këtij zhvillimi qëndron në 3 aspekte kryesore.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes tha se së pari, bëhet fjalë për një kërkesë të kahershme të Forcave të Armatosura, e cila më në fund po konkretizohet.

Së dyti, ky bashkëpunim konfirmon rolin kyç të Shteteve të Bashkuara në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë. Ndërsa, si aspekt të tretë, ministri veçoi rëndësinë e aftësimit të personelit ushtarak për përdorimin e sistemeve dhe teknologjive moderne.
“Janë sisteme antitank që mund të përdoren edhe për neutralizimin e kërcënimeve në distanca të shkurtra, ndërkohë që kanë një domethënie të trefishtë për sigurinë dhe profesionalizmin e forcave tona”, theksoi Vengu.
Ministri i Mbrojtjes nuk dha detaje për numrin e raketahedhësve të pranuar, por bëri të ditur se gjatë vitit 2026 pritet edhe një dërgesë tjetër e këtyre sistemeve.

