Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut protestë para ambasadës serbe në Shkup: ‘Mitrovicën s’e japim’!
SHKUP- Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Lëvizja Besa mbështesin protestën para ambasadës serbe të thirrur nga drejtuesi i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani. Nga Alternativa thonë u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin të mbështesin protestën para ambasadës serbe në Shkup.
“Aleanca për Shqiptarët mbështet protestën e thirrur për më 29.12.2022 nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë, për të kundërshtuar kërcënimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, dhe u bën thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të saj t’i bashkëngjiten radhëve të protestuesve. Aleanca për Shqiptarët dënon veprimet destabilizuese e luftënxitëse të bandave të kontrolluara nga Beogradi në veri të Kosovës. Përkrahim plotësisht përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të NATO-s për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit”, thuhet në njoftimin e ASH-së.