31-03-2025

Shqiptari nga Tirana merr drejtimin e anijes luftarake amerikane USS Pearl Harbor

Shqiptaro-amerikani, Alban Dervishi, do të marrë drejtimin e luftanijes amerikane USS Pearl Harbor, këtë e ka bërë të ditur ambasada amerikane në Tiranë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Një ‘Tirons’ që merr komandën e një luftanijeje amerikane! Njihuni me komandant Alban Dervishin, shqiptaro-amerikani i cili do të marrë komandën e USS Pearl Harbor në qershor të 2025-ës. I lindur në Tiranë dhe me origjinë nga një familje ushtarake, Albani dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara 25 vjet më parë për të ndjekur ëndrrën amerikane”, shkruan Ambasada amerikane.

Dervishi thotë se do të jetë nder për të drejtimi i kësaj anije luftarake, derisa ai tregoi se gjatë karrierës së tij ka qenë edhe në 7 anije të tjera nëpër botë, përfshirë edhe ato operacione kritike të luftës së Afganistanit.

“Përshëndetje, jam Alban Dervishi, lindur e rritur në Tiranë. “Çun Petronini” në shkollë të mesme. Isha vetëm 16 vjeç, kisha mbaruar vitin e dytë në gjimnaz dhe vajtëm në New York.


Ndihem shumë krenar që këtë qershor të marr komandën e USS Pearl Harbor. Kam një jetë të tërë që e prisja këtë moment dhe është një nder sepse gjatë gjithë karrierës sonë ne dedikojmë shumë kohë për të arritur këtë majë dhe më jepet një shans fantastik dhe me zor pres të kryej detyrën.

Ndaç babanë, ndaç gjyshin i kam pasur ushtarakë kështu që ushtria më tërhoqi pak, edhe Amerika, pikërisht ajo Amerikë me ushtrinë më të madhe në botë. M’u dha kjo mundësi dhe thashë pse jo t’i hyj ushtrisë amerikane.

Me thënë të drejtën e ka filluar si marinar i thjeshtë. Gjithçka shkoi me shkallë, një mundësi më shumë, e një mundësi më shumë lëvizën gjërat. Gjatë karrierrës time kam qenë në 7 anije të ndryshme dhe kam lundruar çdo det të botës, duke përfshirë edhe operacionet më kritike si të luftës së Afganistanit, Irakut dhe operacione të tjera“, ka thënë ai.

Asnjë koment

Comments are closed.