Shqiptaro-amerikanët: S’ka sovranitet të Kosovës pa SHBA – të veprohet me urgjencë
AARC ka paralajmëruar prej kohësh për një erozion të partneritetit Kosovë-SHBA.
“Marrëdhëniet diplomatike janë në një pikë të ulët historike dhe pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, thuhet në deklaratën e Këshillit.
Sipas AARC, Kushtetuta dhe rendi kushtetues i Kosovës duhet të respektohen, ndërsa udhëheqësit politikë duhet të veprojnë pa vonesë për të krijuar institucionet sipas zgjedhjeve të fundit ose për të arritur një konsensus të shpejtë që do të hapte rrugën për zgjedhje të reja.
“Pezullimi i Dialogut Strategjik nuk duhet të përdoret nga asnjë forcë politike për përfitime afatshkurtra, ndërsa qeveritë ndryshojnë, por kostoja përfundimtare përballet nga Kosova dhe populli i saj”, theksoi AARC.
Këshilli gjithashtu ka vënë në dukje se mosangazhimi në dialog ka krijuar polarizim ekstrem në vend:
“Edhe çështjet që janë përcaktuar dhe zgjidhur qartë nga Kushtetuta janë shndërruar pa nevojë në mosmarrëveshje ligjore dhe kushtetuese. Patriotizmi dhe dashuria për Kosovën nuk i përkasin asnjë individi apo partie politike të vetme. Përkundrazi, qeveritë – qofshin ato që veprojnë si kujdestarë apo të plotfuqishme – dhe partitë politike kanë detyrimin të udhëheqin me përgjegjësi dhe të krijojnë një mjedis për dialog politik. Çështjet e sovranitetit, detyrimeve ndërkombëtare, pavarësisë dhe interesave të tjera jetësore shtetërore i përkasin të gjithë popullit të Kosovës, jo vetëm një partie apo qeverie”.