Ndonëse flitet për numër më të madh, zyrtarët arsimorë në Prizren, konfirmuan për shtatë mësimdhënës të infektuar me COVID-19 në këtë komunë, raporton “Gazeta e Prizrenit”.
Ndërkohë, që në disa shkolla po bëhen teste aerologjike për Covid, në Prizren tashmë disa punëtorë arsimorë kanë rezultuar të prekur nga koronavirusi.
Drejtoresha e DKA-së, Xhemile Thaçi-Vezgishi ka konfirmuar për gazetën se nga personeli në shkollat e Prizrenit janë 7 persona të prekur, ndërsa një mësimdhënës nga shkolla “Abdyl Frashëri” në Ortakoll është dërguar në vetizolim.
Lexo edhe:
Drejtoria e Arsimit në Prizren shpenzon mbi 500 euro për pica e somune (dok)
Ndonëse, burime të portalit flasin për numër më të madh të të infektuarve në këtë shkollë, madje së paku shtatë raste, drejtoresha e DKA-së mohon të ketë edhe raste të tjera.
“Lidhur me gjendjen e shkollës Abdyl Frasheri, aty ka dale pozitiv (me 16.10.2020) vetëm një mësimdhënës, i cili që dyshimet e para (09.10.2020) eshte derguar ne veteizolim ne shtepi, e qe poashtu eshte duke e bere tretmanin ne shtepi”, thuhet në përgjigjen e saj për portalin “Gazeta e Prizrenit”.
Zyrtarët arsimorë nuk kanë konfirmuar ndonjë rast të infektimit të nxënësve.
Në anën tjetër, përfaqësues të PDK-së në opozitë kanë kritikuar zyrtarët komunal se po fshehin shifrat e sakta të të infektuarve.
Referuar një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë situata në shkolla përcillet në vazhdimësi dhe varësisht prej situatës epidemiologjike, merren edhe vendimet midis MSH dhe MASH e DKA. Aty ku ka raste me Covid-19 ndër tjera parashihet të kalohet nga skenari i mësimit në klasa në mësimin online (nga A në C).
Ndryshe, ditët e fundit është raportuar për ngritje të lehtë të rasteve me COVID-19 edhe në komunën e Prizrenit. Një ditë më parë të infektuar kanë rezultuar 8 persona apo 3 më shumë se ditën paraprake. /GazetaePrizrenit.net
Lexo edhe:
Prokuroria nis hetimet për tre drejtorë të Komunës së Prizrenit