23-11-2024

Shtegu i bukurive të Sharrit

Ura tibetiane në gjatësi prej 20 metrave, që lidh brigjet e lumit, është “porta hyrëse” që çon drejt shtegut bjeshkatar të siguruar me kabllo metalike në Grykën e Lumëbardhit të Prizrenit.

Ky shteg i vendosur në shkëmbinjtë mbi Lumëbardhë ofron pamjen e gjatësisë së lumit, prej Prevallës deri në hyrje të qytetit, ndërkohë që mund të shihen edhe të gjitha majat e Maleve të Sharrit. Prandaj nga ideatorët e tij është emërtuar “Panorama”, shkruan sot Koha Ditore.

Por për ta përshkruar këtë shteg krahas aftësive fizike nevojiten pajisjet adekuate, sikurse edhe shoqërimi nga bjeshkatarët e aftësuar. Bartësit e këtij projekti kanë bërë të ditur se krijimi i këtij shtegu krahas promovimit të bjeshkatarisë dhe alpinizmit në këtë zonë, synon që të shtojë edhe një atraksion në ofertën turistike të qytetit të vjetër.

Madje një javë para përurimit zyrtar, shtegu via ferrata “Panorama” në Grykën e Lumëbardhit ka pasur vizitorë ndërkombëtarë. Në njoftimin në rrjetet sociale, Hacer Özkalender ka bërë të ditur se ekipi i bjeshkatarëve nga Bursa e Turqisë, që janë të binjakëzuar me shoqatën bjeshkatare “Sharri” të Prizrenit kanë realizuar ngjitjen e parë në këtë shteg në shoqëri të kolegëve të tyre vendorë.

“Ndërsa si grua unë e realizova ngjitjen e parë”, është shprehur Özkalender, teksa ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë të anëtarëve të ShB “Sharri”.

Menaxheri i projektit dhe anëtari i kryesisë së ShB “Sharri”, Deni Hameli, ka shpjeguar se krijimi i shtegut bjeshkatar në Grykën e Lumëbardhit, respektivisht via ferrata “Panorama” është iniciuar me idenë e kësaj shoqate, e cila edhe ka hartuar projektin përkatës.

“Ideja ka filluar duke u bazuar në përvojat e mëhershme që kanë pasur kolegët tanë nga Peja, që e kanë ndërtuar via ferratën në Grykën e Rugovës dhe në kontakt me ta e kemi zhvilluar projekt-konceptin dhe kemi vazhduar me procedura të tjera”, ka thënë ai.

Realizimi i këtij projekti është mundësuar në saje të një bashkëpunimi mes Komunës së Prizrenit, PPSE Swisscontact dhe ShB “Sharri” përmes projektit “Promovimi i punësimit në sektorin privat”.

Hameli ka njoftuar se via ferrata “Panorama” fillon nga ura tibetiane, e vendosur në Grykën e Lumëbardhit, afër 5 kilometra nga qendra e qytetit.

Asnjë koment

Comments are closed.