15-06-2025

“Shtëpia e Bardhë” në Prizren – a po mbulohet nga të zezat e qeverisjes Totaj?!

Qeverisja e kryetarit Shaqir Totaj në Prizren po del gjithnjë e më thellë në skandale, akuza për korrupsion dhe degradim institucional. Çdo ditë që kalon, “Shtëpia e Bardhë” në Prizren – siç është quajtur ndërtesa e qeverisë lokale – po zbehet nga hija e aferave që po dalin në publik.

Pas tri viteve të një administrimi me vetëlavdërime, qytetarët sot përballen me një realitet krejt tjetër: klientelizëm, kapje të proceseve, konflikte të brendshme dhe keqpërdorim të resurseve publike.

Tenderë të dyshimtë, leje ndërtimore për të afërm e zyrtarë të pushtetit

Një nga skandalet më të përsëritura gjatë mandatit të Totajt kanë qenë dallaveret me tendera. Tenderët me kritere të qepura për operatorë të caktuar, procedura të paqarta dhe mungesë transparence kanë qenë temë e shpeshtë e raportimeve mediatike dhe reagimeve të opozitës në Kuvendin Komunal.

Ndërkohë, lejet ndërtimore të favorizuara për individë të lidhur me pushtetin lokal kanë nxitur edhe më shumë dyshime për përfitime private në dëm të interesit publik. Një nga skandalet më të bujshme është ai i ndërtimit të një objekti në Landovicë, i cili ishte pajisur me leje ndërtimore për “fermë për kalërim”, por që në realitet u shndërrua në një motel. Ky rast u bë i njohur pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, i cili zbuloi se inspektorët komunalë nuk kishin ndërmarrë masa të duhura për të ndaluar punimet dhe për të rrënuar objektin e ndërtuar pa leje.

Skandali i fundit i transmetuar mbrëmë nga emisioni “Betimi për Drejtësi”, ku u zbulua se objekti banesor  ne Bazhdarhane ka marrë leje ndërtimi në kundërshtim me Hartën Zonale të Prizrenit – shiko raportin këtu.

Opozita ka paralajmëruar se ndërtimet pa planifikim urban po e shkatërrojnë identitetin e qytetit.

Përplasje fizike mes zyrtarëve – tension brenda qeverisë

Situata ka eskaluar aq shumë, sa javën e kaluar u raportua për përplasje fizike mes zyrtarëve të lartë brenda vetë pushtetit lokal, drejtorit të Shërbimeve Publike, Çelë Lamajt dhe Nehat Elshanit, shef i kabinetit të Totajt. Kjo është një dëshmi e qartë e tensioneve të brendshme dhe mungesës së kontrollit e profesionalizmit në menaxhimin e administratës komunale.

Skandalet në arsim: Nga manipulimi i konkurseve te pazaret me poste

Një nga rastet më të bujshme është ai i manipulimeve në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave. Në qendër të këtij skandali është Arben Shala, anëtar i komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve, i cili dyshohet se ka manipuluar rezultatet për t’iu shërbyer interesave politike të pushtetit.

Sipas opozitës, Shala ka përfituar afro 50 mijë euro nga Komuna përmes OJQ-ve dhe tenderëve të dyshimtë, në atë që po shihet si një “shpërblim për shërbim ndaj pushtetit“. Rrjedhoja? Një degradim i thellë i sistemit arsimor në komunë, humbje e besimit dhe profesionalizmit në shkolla.

Tani edhe subvencione në kulturë – për vota në vjeshtë?

Një tjetër rrafsh i dyshimeve të fundit janë subvencionet në kulturë, të cilat, sipas burimeve opozitare, po u jepen OJQ-ve pasive dhe individëve të afërt me pushtetin, pa asnjë kriter të qartë apo raport financiar.

Qëllimi i vërtetë? Sipas opozitës: “blerje mbështetjeje politike” për zgjedhjet e vjeshtës.

Kjo praktikë e keqpërdorimit të subvencioneve për qëllime elektorale është kritikuar ashpër dhe kërkohet hetim nga organet përkatëse, pasi godet drejtpërdrejt sektorin e kulturës dhe drejtësinë sociale në shpërndarjen e fondeve publike.

A do të ketë ndonjëherë llogaridhënie?

Përballë gjithë këtyre skandaleve – nga tenderët, lejet ndërtimore, arsimi, kultura e deri te përplasjet fizike në pushtet – qytetarët e Prizrenit po shtrojnë pyetjen e thjeshtë: A do të mbajë dikush përgjegjësi? A do të vijë momenti kur zyrtarët e kapur në afera do të përballen me drejtësinë?!

Për momentin, heshtja nga qeverisja Totaj është më e zhurmshme se çdo përgjigje!

Asnjë koment

Comments are closed.