24-11-2024

Shtëpia e Kulturës në Zhur dhe shtrati i Lumbardhit projektet e stërzgjatura në Prizren

Në tryezën e organizuar nga OJQ “EC Ma Ndryshe” me temën “Sfidat e prokurimit publik në Komunën e Prizrenit” është prezantuar edhe dokumentari i shkurtër “Prizreni nën goditjet e prokurimit publik”, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Tryeza ka për qëllim prezantimin e sfidave të prokurimit publik në Komunën e Prizrenit si dhe gjetjet e analizës përkatëse.

Si problematike në këtë rast u përmend projekti i stërzgjatur për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur, për realizimin e të cilit janë dashur edhe disa aneks kontrata, të cilat kanë rënduar buxhetin komunal, si dhe shtrati i Lumbardhit.

Po ashtu si projekte tjera sfiduese të Prokurorimit janë përmendur edhe ai i ndërtimit të teleferikut për në Kala si dhe ndërtimi i e-kiosqeve për lëshimin e certifikatave të gjendjes civile në qytet.

Pjesëmarrësit folën për problemet, sfida dhe shkeljet në këtë proces, ndërsa Diana Metushi – Krasniqi nga KDI, në fjalën e saj vlerësoi se kohën e fundit komunat kanë shënuar një rritje sa i përket transparencës.

Isa Osmankaj nga Zyra e Prokurorimit në Komunën e Prizrenit, duke folur për transparencën ka thënë se të gjitha projektet që parashihet të realizohen publikohen edhe në ueb faqe të komunës.

Prokurori Genc Nixha, nga Prokuroria Themelore në Prizren, tha se për rastet e shkeljeve duhet sinjalizuar ky organ, në mënyrë që të ketë informacione për të nisur hetimet e bazuara.

Në këtë tryezë, ku morën pjesë edhe zyrtarë të Komunës, si dhe pjesëmarrës te shoqërisë civile janë dhënë edhe disa sugjerime për çështjet e përmendura./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.