Shtëpia e Sterjo Spasses kthehet në muze
Shtëpia e shkrimtarit Sterjo Spasse në Gollomboç të Bashkisë së Pustecit së shpejti do të kthehet në muze. Investimi është financuar nga Bashkimi Evropian me vlerë 200 mijë euro në kuadër të projekteve ndërkufitare.
Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në qarkun e Korçës, Gjergji Kokim, shprehet se muzealizimi i shtëpisë së Sterjo Spasses do të jetë një vlerë e shtuar për fshatin Gollomboç, por edhe për të gjithë bashkinë e Pustecit. Koki tregon se objekti ku dikur ka banuar shkrimtari Sterjo Spasse sot është në një gjendje të degraduar.
Projekti do të ketë një kohëzgjatje prej dy vjetësh. Me përfundimin e rikonstruksionit shtëpia e shkrimtarit do të pajiset edhe me objekte, të cilat janë përdorur prej tij ose edhe me dorëshkrime e dokumente.
Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Ai shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore, u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kuror rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944), “Të fala nga fshati” (1958), si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse?!” më 1935-n – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje, ja liri” (1978) dhe “Kryengritësit” (1983).