Shtëpia e vjetër në Prizren, ku me trashëgiminë shijohet kafja
Dyert e oborrit të shtëpisë së familjes Kirajtani në Prizren gjatë një fundjave të nxehtë korriku janë hapur për vizitorët e rëndomtë. Këta të fundit janë shërbyer me pije e ëmbëlsira tradicionale të qytetit të vjetër.
Njëherësh kanë shijuar edhe ambientin mbresëlënës para shtëpisë, sikurse që kanë dëgjuar edhe më shumë detaje për historikun e njërës për shtëpive të veçanta të Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Aktiviteti është jetësuar në saje të bashkëpunimit ndërmjet pronarëve të shtëpisë dhe organizatës joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, me qëllim të promovimit të shtëpive tradicionale si destinacione turistike për nxitjen e zhvillimit ekonomik, por edhe sigurimin eventual të të ardhurave për vetëqëndrueshmërinë e ndërtesave të kësaj natyre.
Pamja e kalldrëmit me gur e shtëpisë së vjetër dukej sikur i ka kthyer në kohë vizitorët. Ndërsa kopshti me gjelbërim krahas hijeshisë ka ofruar edhe freski për mysafirët.
Profesori i historisë nga Prizreni, Sokol Cena, ka qenë njëri nga vizitorët që ka shijuar kafenë dhe lëngun e trëndafilit, sikurse edhe bisedat me pronarët e shtëpisë dhe vizitorët e tjerë. Sipas tij, gjendja e ndërtesave të trashëgimisë kulturore në Prizren është shqetësuese dhe institucionet duhet të veprojnë për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
“Janë disa shtëpi që duhet të riparohen sa s’janë shkatërruar e disa të kthehen sipas projekteve që kanë. Kalldrëmi dhe ambienti qytetar duhet të kthehen, që qyteti ta mbajë traditën”, ka thënë Cena, duke vënë në pah edhe vlerat e shtëpisë së familjes Kirajtani.
Ndërkaq mikpritësit, çifti Fëllanza dhe Arlind Kirajtani, kanë shprehur kënaqësinë e tyre që vlerat e kësaj ndërtese mund të prezantohen para vizitorëve e turistëve. Sipas tyre, dyert e kësaj shtëpie janë vazhdimisht të hapura për të interesuarit.