25-11-2024

Shtyhet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës e tjerëve, dëshmitari i vetëpropozuar largohet sërish nga salla

Për shkak mungesës së dëshmitarit Burim Reci, ka dështuar të mbahet seanca e së mërkurës në rastin ku Bajram Hasani, ish–ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaqi, ish-zëvendësministër i kësaj ministrie, Ragip Begaj, ish-kryetar i Komunës së Malishevës dhe nënkryetari i kësaj komune, Hajdin Berisha, akuzohen për korrupsion.

Bashkë më ta po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili ka njoftuar se sipas zyrtarëve policorë, në dy adresat e kërkuara nuk është gjetur, ku adresa ka rezultuar e pasaktë.

Më pas, gjykatësi Veseli kërkoi mendimin e palëve në procedurë për leximin e deklaratës së dëshmitarit Reci e dhënë me autorizimin e prokurorisë në Policinë e Kosovës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Ymer Huruglica ka kundërshtuar që të lexohet deklarata e dëshmitarit Reci, i cili kishte qenë sekretar i  të mbrojturit tij, me arsyetimin se dëshmia e tij nuk është kredibile për shkak se kjo dëshmi ishte dhënë pas shkarkimit të tij, nga i mbrojturi i tij Hasani.

Tutje, i njëjti ka thënë se sipas informacionit ky dëshmitar gjendet në paraburgim në Mal të Zi.

Po ashtu, Huruglica e kundërshtoi dëgjimin e këtij dëshmitari me arsyetimin se nuk mund ta sfidojë dëshminë e tij të dhënë në polici dhe se nuk kishin marrë pjesë gjatë dëshmisë së tij, pasi që si mbrojtje nuk kishin qenë të informuar.

Ndërkaq, prokurori i rastit Naim Abazi ka kërkuar që të kenë informacion zyrtar që të vërtetohet ajo që ka thënë mbrojtja se i njëjti gjendet në paraburgim të Malit të Zi, e më pas të kërkohet bashkëpunimi juridik ndërkombëtar që të jetë e mundshme dëgjimi i dëshmitarit Reci, në këtë çështje penale.

Andaj, trupi gjykues në përbërje nga gjykatësit Vesel Ismaili, Suzana Çerkini dhe Violeta Namani mori aktvendim që dëshmitari Reci të tentohet të sigurohet në seancën e radhës ose të dëgjohet përmes video-linkut.

Në këto rrethana, seanca e radhës u shty në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, në këtë seancë është paraqitur sërish qytetari Hazir Hoxha, i cili pretendonte që ka bërë kërkesë që të dëgjohet si dëshmitar në këtë rast, me arsyetimin se është dëshmitar kyç në këtë rast.

Për këtë, gjyqtari Ismaili ka njoftuar se nuk ka pranuar ndonjë shkresë nga ky qytetar, një përgjigje të njëjti e ka dhënë edhe prokurori Abazi, ku ndër të tjera tha se nuk ka pranuar ndonjë shkresë nga ky person.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007. /BetimipërDrejtësi

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.