22-11-2024

Shtyhet gjykimi në rastin ku po kërkohet kthimi i tokës së shpronësuar nga Qeveria

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, për shkak mungesës së përfaqësuesit të autorizuar të së paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, avokatit Arsim Zuka, ka dështuar të mbahet seanca përgatitore, në rastin ku paditësit B.A, Xh.A, B.A, A.A, R.K, A.K, dhe N.A, po kërkojnë kthimin e pronës së shpronësuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Gjykatësit i rastit, tha se avokati Zuka, me parashtresën e 19 prillit 2023, ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet, për shkak të angazhimeve të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, përfaqësuesi paditësve B.A, Xh.A, B.A, A.A, R.K, A.K, dhe N.A, avokati Afrim Paqarizi, ka propozuar që seanca përgatitore të mbahet, ngase sipas tij përfaqësuesit e Qeverisë edhe në vitet 2016-2018 mungesën në seanca gjyqësore nuk e kanë arsyetuar.

Pas kësaj, gjykatësi Shigjeqi ka aprovuar kërkesën e avokatit Zuka për shtyrjen e seancës së sotme, kurse të radhës për këtë rast e ka caktuar më 22 maj 2023.

Ndryshe, B.A, Xh.A, B.A, A.A, R.K, A.K, dhe N.A, më 18 maj 2016, kanë paraqitur propozim për lëshimin e urdhrit për rivendosjen e të drejtë pronësore në pjesën e patundshmërisë, mirëpo Gjykata Themelore në Prizren me aktvendimin e 27 janarit 2022, ka pezulluar procedurën jokontesimore duke vlerësuar se çështja duhet të zhvillohet sipas procedurës kontestimore.

Në propozim, thuhet se sipërfaqja e lartcekur është kompensuar me shumën e përgjithshme të të hollave prej 338 mijë euro, patundshmëria e lartcekur tani evidentohet në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Më tej, thuhet se edhe pse nga vendimet përfundimtare konstatohet se janë realizuar në tërësi, gjendja faktike në trren është ndryshe. Organi shpronësues as pas kalimit të afatit 5 vjeçar nuk e ka shfrytëzuar e as nuk e shfrytëzon pjesën e patundshmërisë së lartcekur në sipërfaqe prej 8073 metra katror, e cila sipërfaqe ka mbetur jashtë rrethojave të autostradës në largësi prej 157m, respektivisht 229 m.

Sipas propozimit, kjo sipërfaqe nuk shfrytëzohet për nevojat e autostradës dhe nuk është në shfrytëzim të qëllimit për çka është shpronësuar, që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me dispozitën e nenit 27, par. 1 të Ligjit për shpronësimin e pasurisë së patundshme.

Andaj, në propozim të njëjtit ka kërkuar që bëhet rivendosja e të drejtës së pronësisë dhe posedimit në pjesën e ngastrës kadastrale nr. 171/1 në sipërfaqe sipas matjes dhe ekspertizës në terren, nga sipërfaqja e përgjithshme prej 9260 m2 ZK Dushanovë- Prizren, ashtu që në këtë pjesë paraprakisht të anulohen vendimet përfundimtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.