Shtyhet gjykimi për vrasjen e 2016-ës në Suharekë
Për shkak se anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Arjeta Gashi, mungoi për shkaqe shëndetësore, është shtyrë seanca e paraparë për të premten në Gjykatën Themelore në Prizren për vrasjen në Suharekë.
Në këtë rast, Murat Ademi po akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit Abedin Bytyqi më 6 tetor 2016.
Së bashku me Ademin, për këtë vrasje po akuzohen edhe Resmije Bytyqi, Fadil Fetiu dhe Reshat Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për mungesën e gjykatëses Arjeta Gashi, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani bëri të ditur se e njëjta nuk mund të paraqitet në seancë për shkaqe shëndetësore.
Në këto rrethana, seanca e sotme u anulua, ndërsa e radhës u caktua më 30 shtator 2021, raporton “Betimi për Drejtësi
Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.
Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.
I akuzuari Fadil Fetiu ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.
Kurse i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi, kurse Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.
Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019 ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.
Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.