Shtyhet rigjykimi për dorëzim të paluajtshmërisë në komunën e Suharkës
Mungesa e të autorizuarës së paditësit Agim Behluli dhe e të paditurve Hazir dhe Jakup Behluli, ka bërë që të shtyhet seanca e rigjykimit për dorëzim të paluajtshmërisë.
Sipas gjykatësit Shaban Zeqiraj, përfaqësuesja e paditësit Behluli, avokatja E. G ka kërkuar që për shkaqe objektive, seanca e së premtes të shtyhet për muajin shtator, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, i padituri i parë Hazir Behluli, ftesën nuk e ka pranuar personalisht, kurse i padituri i dytë, Jakup Behluli, përmes fletëkthesës gjykata është njoftuar se i njëjti gjendet jashtë vendit.
Në këto rrethana, seanca është shtyrë për 30 shtator 2021, në ora 10:30.
Sipas padisë, paditësi Agim Behluli si pronarë i paluajtshmërisë dhe posedues i saj, nga të paditurit Hazir dhe Jakup Behluli ka kërkuar që t’ia dorëzojnë paluajtshmërinë P-72116029-02405 në vendin e quajtur “Fshat”, në Zonën Kadastrale Mushtisht.
Pas mbajtjes së seancës, padia është konsideruar e tërhequr, mirëpo Gjykata e Apelit, me vendimin e datës Ac.nr.6166/20 të datës 27 maj 2021 ka aprovuar si të themelt ankesën e të autorizuarës së paditësit dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje. /BetimipërDrejtësi