Mungesa e të akuzuarit Artan Ferati, ka bërë që të shtyhet seanca fillestare e paraparë të mbahej të mërkurën në rastin ku për vepra korruptive po akuzohen tre doganierë e një avokat.
Në këtë rast, bashkë me doganierin Artan Ferati, po akuzohen edhe avokati Xhevdet Rama, doganierët Flamur Hoti dhe Besnik Beshi, si dhe dy të akuzuarve tjerë, Selatin Krasniqi e Avdullah Latifi.
Avokati Xhevdet Rama po akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, Artan Ferati dhe Avdullah Latifi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Selatin Krasniqi për mashtrim të konsumatorëve.
Kurse, Flamur Hoti dhe Besnik Beshi po akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Avokati mbrojtës i Feratit, Florent Latifaj, ka bërë të ditur për gjykatën se ka kontaktuar me të mbrojturin e tij dhe i njëjti i ka thënë se nuk ka marr ftesë dhe se gjendet në Shqipëri për shkaqe shëndetësore të familjarëve të tij.
Ai ka thënë se i akuzuari Ferati që dy muaj nuk jeton në Gjakovë, por në Prishtinë dhe se me siguri ftesa është dërguar në Gjakovë, ku i jetojnë prindërit.
Kurse, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, ka bërë të ditur se ka provë që i njëjti është tentuar të ftohet në mënyrë të rregullt dhe ftesa i është dërguar sipas adresës që gjendet në shkresa të lëndës.
Sipas tij, ftesa është kthyer me vërejtjen se i njëjti nuk jeton në atë adresë, kurse avokati Latifaj ka thënë se sipas të akuzuarit Ferati, ai banon në të dyja vendbanimet e lartcekura.
Kjo seancë për shkak të mos plotësimit të kushteve ligjore është shtyrë për 14 nëntor, me fillim nga ora 9:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 korrik 2016, Xhevdet Rama me dashje ka ndihmuar Artan Feratin për të kryer vepër penale me vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale.
Akti akuzues thotë se më 1 prill 2016, rreth orës 13:30, duke përcjell me veturën furgon që drejtohet nga i pandehuri Selatin Krasniqi me vetëdije të plotë e ka transportuar oficerin doganor Artan Ferati prej ZBD në Prizren deri në Prishtinë.
Më pas thuhet se me të arritur në ora 14:34 në SHPK “Eri Group” për asgjësim të 2880 copë të parfumeve “Paco Rabane 1 Milion”, si produkte të ndaluara të importuara nga Kina prej importuesit N.T.T.SH “Bashkimi” me pronar Bashkim Latifin me dëshirë që i pandehuri Ferati të mos përkujdeset për mbarëvajtjen e procesit të shkarkimit dhe shkatërrimit të plotë të mallit të falsifikuar, siç edhe ka ndodhur.
Tutje, thuhet se as vet nuk ka qëndruar deri në fund sepse prej paketave me parfum të ngarkuar në furgonm sipas urdhrit të të akuzuarit Rama, punëtorët fizikë i kanë nxjerrë vetëm dy paketa dhe i kanë dërguar te presa ku ato janë asgjësuar, ndërsa të tjerat nuk janë shkarkuar nga furgoni dhe me to është larguar furgoni i drejtuar nga Avdullah Latifi.
Këtë të fundit thuhet se e kanë ndaluar hetuesit e kundër kontrabandës së Doganës së Kosovës dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar parfumet e destinuara për shkarkim, kurse Artan Ferati është larguar nga vendi i ngjarjes bashkë më të pandehurin Selatin Krasniqi, e më pas është larguar edhe i akuzuari Rama.
Për këto veprime, i akuzuari Rama akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”
Aktakuza thotë se Artan Ferati e Avdullah Latifi si persona zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe nuk i kanë përmbushur detyrat me qëllim që tjetri të fitojë dobi pasurore.
Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që më 1 prill 2016, gjatë procesit të asgjësimit të produkteve të parfumit, i pandehuri Artan Ferati që është doganier dhe Avdullah Latifi punëtor në NP ”Te Bashkimi” në Prishtinë, pas shkatërrimit të dy paketave, nuk janë interesuar edhe për shkarkimin e produkteve të tjera të mbetura në furgon dhe asgjësimin e tyre përmes presës speciale. E pas konfiskimit të të njëjtave nga Njësiti Anti Kontrabandë i Doganës së Kosovës, Latifi i kishte prezantuar hetuesve dy fatura dhe kuponë fiskal me shënimin kinse po transportohet ujë tualeti.
Me këto veprime, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Selatin Krasniqi, thuhet se gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike dhe me qëllim të mashtrimit të konsumatorëve ka përdorur shenjën e mallrave ashtu që gjatë vozitjes së furgonit që kishte qenë pronë e importuesit NTSH “Te Bashkimi” nga Dogana e Prizrenit në kompaninë “Eri Group” në Prishtinë, ka transportuar parfume false që është dashur të asgjësohen, mirëpo nuk janë asgjësuar plotësisht duke i lënë disa paketime në furgon për t’ia ofruar në shitje konsumatorëve të interesuar se kinse janë origjinale me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprës penale “mashtrim i konsumatorëve”.
Flamur Hoti dhe Besnik Beshi, thuhet se së bashku kanë marr pjesë në kryerjen e veprës penale ashtu që në cilësinë e personave zyrtar të Doganës së Kosovës.
I akuzuari Hoti thuhet se në dy shkresa të veçanta të përpiluara nga ai më 1 prill 2016 që i ka titulluar “Raporti i asgjësimit të mallit” për Sadije Tropojanin që është udhëheqëse e sektorit të DPI-së dhe Drenusha Rizvanollit që është udhëheqëse e njësitit të DPI-së dhe në CC janë përmendur ehe tre udhëheqës të tjerë në Prizren, derisa ky ka qenë në Prizren e jo në vendin e ngjarjes në Prishtinë dhe ka shënuar të dhëna të pavërteta e të paragjykuara.
Ai thuhet se ka shkruar se është bërë shkatërrimit i mallit sipas listës së bashkangjitur që ka pasur të dhëna të pavërteta, e ku pjesëmarrës gjatë shkatërrimit thuhet se kanë qenë zyrtari i doganës Besnik Beshi, Xhevdet Rama dhe Artan Ferati, të cilët më pas janë nënshkruar.
Tre të pandehurit thuhet se kanë bërë nënshkrimin në pikën e dytë të faqes së dytë në dy raportet e përpiluara nga i akuzuari Hoti, duke konfirmuara kështu pjesëmarrjen e tij fizike në proces të asgjësimit.
Me këtë thuhet se kanë kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar./betimiperdrejetesi/