22-11-2024

Shtyhet sërish zgjedhja e rektorit të UPZ-së

Shtyhet sërish zgjedhja e rektorit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Bedri Muhadri, kryetari i Këshillit Drejtues,  konfirmoi se votimi nuk është kryer pasi  shumica e anëtarëve kanë udhëtuar zyrtarisht jashtë vendit.

Ai ka thënë se kjo çështje është shtyrë për javën e ardhshme.

Përpos Prof. Dr. Ismet Temajt, që aktualisht është ushtrues detyre i Rektorit, në konkurrencë për këtë pozitë janë edhe Prof. Dr. Kadri kryeziu, Prof. Dr. Naser Pajaziti, Prof. Dr.Bekim Berisha, si dhe Prof.Dr. Hamdi Hoti.

Rektori parashihej të zgjedhej të hënën, por kjo u shty për sot.

Statuti i UPZ-së parasheh që rektori të zgjedhet me 2/3 e votave të nevojshme.

Në maj të vitit të kaluar Ismet Temaj ishte zgjedhur për Rektor, por mbledhja në të cilën ishte bërë zgjedhja e tij u kontestua, për shkak të mungesës së kuorumit të KD dhe çështja kaloi në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Në dhjetor 2018, KD i këtij institucioni ka anuluar vendimin e datës 22.05.2018 për zgjedhjen e rektorit, duke zgjedhur Temajn si ushtrues detyre.

UPZ është themeluar në vitin 2010, ndërsa ka rreth 10 mijë studentë. Pas rektorit ndërkombëtar themelues, këtë detyrë deri më tash e kanë kryer disa rektorë dhe ushtrues detyre. I fundit në këtë pozitë ishte Prof. Dr. Ramë Vataj./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.