12-10-2025

Shtylla në Transitin e Prizrenit – “Monumenti” që mund të rrëzohet vetëm për vota?!

Nëse ka një monument që përfaqëson më së miri ngathtësinë, ndoshta edhe kalkulimin politik e mungesën e vullnetit për zgjidhje reale, është ajo shtyllë elektrike gjigante që qëndron në mes të rrugës së tranzitit, ndër më të frekuentuarës.

Dihet që kjo është punë e KOSTT apo KEDS-it, por për raste të tilla, ndërhyrja e autoriteteve lokale ka shumë rëndësi, kur dihet interesi publik e madje edhe rreziku, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Edhe pse kryetari Shaqir Totaj ka premtuar disa herë se do të largohet, shtylla gjigante vazhdon të jetë aty.

A ka kuptim pas largimit të një shtëpie dhe lirimit të rrugës, që dy vjet e gjysmë, shtylla të mos lëvizet?

Ndoshta duke pritur afrimin e zgjedhjeve po pritet që të “mposhtet” me ceremoni pompoze, drone, kamera, shtërgim duarsh dhe ndonjë video-spot me extra-montazh e muzikë në sfond.

Sepse siç duket këtu, as edhe një veprim i thjeshtë administrativ nuk ndodh pa u kthyer në spektakël propagandistik.

A thua një proces që duhej të ishte teknik dhe i thjeshtë, po zvarritet me shpresën që të kthehet në kartë votash?!

A ka kuptim krekosja me heqjen e kabllove në Shatërvan (projekt për të cilin opozita thotë se është i ish-qeverisjes Haskuka) e të mos këmbëngulësh për heqjen e një “alamet” shtylle metalike në një rrugë Transiti, që përbën rrezik jete për shoferë ?!!

/Gazeta e Prizrenit /

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.