Shujta për nxënësit e ciklit të ulët në Prizren peng i prokurimit
Sipas zyrtarëve komunalë, çështja ka ngecur tek procedurat e prokurimit. Madje ata kanë pohuar se ditë më parë Organi Shqyrtues i Prokurimit këtë lëndë e ka kthyer në rivlerësim, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërsa opozitarët konsiderojnë se mosrealizimi i deritanishëm i këtij projekti është tregues për paaftësinë e menaxhmentit komunal për përmbushjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës paraelektorale.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi-Vezgishi, në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor, ka pranuar se procesi mësimor ka filluar pa ofrimin e shujtës ushqimore dhe qumështit falas për nxënësit deri në klasën së 5-të. Ajo ka pohuar se lënda është në prokurim dhe ka shfaqur besimin se në afat të shkurtër kohor do të fillojë zbatimi i këtij projekti.