23-11-2024

Si e vlerësoi gjykatësi i Speciales ‘garancinë’ e Albin Kurtit për lirimin e Rexhep Selimit

Gjykatësi i Speciales, Nicolas Guillou ua ka refuzuar këkesat për lirim të gjithë ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë. Ndër to, ai e ka hedhur poshtë edhe kërkesën për lirimin e ish-inspektorit të përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.

Për lirimin e Selimit, shefi i tij në pari, kryetari i LVV-së, Albin Kurti ia kishte dërguar gjykatësit një letër ku shkruante për karakterin, nderin e dinjitetin e Selimit. Por gjykatësi thotë në vendim se deklarata të tilla nuk e eliminojnë rrezikun që ai të arratisej në rast të lirimit, raporton Gazeta Express.

“Gjykatësi i procedurës paraprake është po ashtu i vetëdijshëm për bashkëpunimin e Z. Selimi me hetuesit e ZPS-së, dorëzimin e tij vullnetar për arrestim, lidhjet e tij të forta familjare dhe profesionale me Kosovën dhe Prishtinën në veçanti, dhe deklaratat që përshkruajnë karakterin e tij të mirë janë faktorë që e zvogëlojnë, por nuk e eleminojnë rrezikun e arratisjes”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Speciale për ta mbajtur Selimin edhe më tutje në paraburgim.

Në letrën që Kurti ia kishte dërguar gjykatësit Guillou, i tregonte atij se Selimi sipas tij i kishte respektuar gjithnjë ligjet, duke e konsideruar të “paimagjinueshme” mundësinë që Selimi të arratisej në rast të lirimit.

Asnjë koment

Comments are closed.